Gjatë raportimeve vjetore të institucioneve të pavarura pranë komisioneve parlamentare, raportimi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë një vëmendje të veçantë. Kreu i SPAK, Altin Dumani, shoqëruar nga prokurorët Adnan Xholi dhe Klodian Braho, paraqiti para Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit për Nismat Qytetare raportin vjetor. Seanca, ku morën pjesë më shumë se 20 deputetë, zgjati rreth 5 orë dhe u karakterizua nga një numër i madh pyetjesh nga të dy krahët politikë.
Altin Dumani kërkoi nga Kuvendi mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit të SPAK nga presionet politike, mediatike dhe ato nga grupet kriminale. Ai theksoi se sulmet politike, veçanërisht ato të krerëve të opozitës të cilët janë nën akuza për korrupsion, por edhe të figurave të larta të qeverisjes si kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, gjatë këtij viti, shërbejnë si frymëzim për kërcënimet nga elementë kriminalë.
Sipas Dumanit, deklaratat politike që tejkalojnë cakun bëjnë më vulnerabël prokurorët e posaçëm, duke shtuar se sa më shumë rriten sulmet politike, aq më shumë rriten edhe kërcënimet ndaj prokurorëve.
Deputetët e opozitës bënë pyetje të karakterit politik, duke iu referuar çështjeve konkrete të drejtuesve të opozitës nën akuzë, ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Ata aluduan për dështim të punës së prokurorëve në parandalimin e krimeve zgjedhore dhe hetime të aferave korruptive, duke kërkuar llogari për moshetimin e kryeministrit, zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe për zvarritjen e hetimeve në çështje si Porti i Durrësit dhe Porto Romano.
Nënkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi, u shpreh se “task-forca për zgjedhjet kishte dështuar” të parandalonte krimet zgjedhore. Dumani pranoi mundësi për përmirësime në task-forcën për zgjedhjet, por theksoi se çdo denoncim i opozitës ishte hetuar dhe prokurorët i ishin përgjigjur në kohë reale kërkesave të tyre. Ai sqaroi se struktura e posaçme ka funksion ndjekjeje penale, jo parandalimi.
Kreu i SPAK mbrojti punën e prokurorëve dhe hodhi poshtë aludimet për dështim, duke reaguar ndaj deputetit Tedi Blushi, i cili e pyeti nëse ishte takuar me McGonigal, ish-drejtues i FBI-së të dënuar në SHBA. Dumani kërkoi nga Blushit të jetë i përgjegjshëm me insinuata të rreme pa indicie.
Lidhur me hetimin e figurave politike, Dumani u pyet nëse Edi Rama ishte “vija e kuqe” për SPAK. Ai u përgjigj se “Ne nuk kemi vijë të kuqe, përpos provës,” duke konsideruar sulmet e Ramës pas arrestimit të Veliajt si “retorikë politike”.
Altin Dumani ripërsëriti kërkesën për ndryshime ligjore për të lejuar rikandidimin e prokurorëve pas mandatit 9-vjeçar, për stabilitet institucional, si dhe për shtimin e numrit të këshilltarëve ligjorë. Ai kërkoi gjithashtu ndryshime ligjore për konfiskimin e pasurive të paligjshme të grupeve kriminale të vendosura në kriptovaluta. Dumani tregoi se ishin konfiskuar 11 milionë euro, ndërsa një shumë më e madhe ishte ngrirë për shkak të mungesës së dispozitave ligjore.
Kërkesat për ndryshime kushtetuese dhe ligjore, të depozituara prej dy vitesh, nuk janë marrë parasysh. Dumani shprehu gatishmëri për bashkëpunim më të ngushtë me Kuvendin, me kontakte më të shpeshta se raportimet vjetore.