Krim në familje Vlorë: Vrasja e Dalan Alliajt nga kushëriri

Kronologjia: Si ndodhi krimi në familje që tronditi Vlorën

Vlora u trondit mbrëmjen e së shtunës nga një krim në familje. Bertil Alliaj, i cili ishte në kërkim dhe ishte dënuar me 35 vite burg për vrasje, qëlloi 6 herë djalin e xhaxhait të tij, Dalan Alliaj, duke i shkaktuar vdekjen.

Autori u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua pas 5 orësh kërkime. Rreth orës 01:05 të mëngjesit të së dielës, dronët e ngritur nga policia lokalizuan të riun në një zonë malore në Gjormë të Vlorës.

Pas arrestimit, 32-vjeçari u pyet nga hetuesit, por ndonëse pretendoi një motiv të fortë, nuk pranoi ta rrëfente. Ai tha: “E vrava për një arsye të fortë që s’mund ta them, pasi i kisha thënë disa herë që duhet të reagonte. Ndoshta në një moment tjetër do të flas për arsyen, por ende nuk jam gati”.

Krimi ndodhi në afërsi të banesës së viktimës. Familjarët njoftuan autoritetet për ta transportuar 36-vjeçarin në Spitalin e Vlorës, ku mjekët konfirmuan vdekjen e tij.

Policia njoftoi se gjatë kontrollit fizik pas arrestimit, Bertil Alliajt iu gjet arma me të cilën dyshohet se kreu krimin, një “Beratta FS92”, së bashku me një krehër dhe 10 fishekë. Në vendngjarje u sekuestruan 6 gëzhoja dhe një predhë.

Familjarët dhe fqinjët thanë se viktima dhe autori janë kushërinj të parë. Për autorin ata treguan se që kur ishte shpallur në kërkim në vitin 2015, nuk ishte parë në fshat, por nuk dinin asgjë për konfliktin mes të rinjve.

Bertil Alliaj ishte kthyer në Gjormë 2 ditë më parë dhe për t’iu shmangur arrestimit nga policia, përdorte një pasaportë të falsifikuar me identitetin e një shtetasi nga Kosova. Ai thirri mbrëmjen e së shtunës Dalan Alliajn, 36 vjeç, babai i 2 fëmijëve, për të sqaruar një bisedë. Ky takim përfundoi tragjikisht.

Bertil Alliaj rezulton të jetë një nga personat më të kërkuar nga drejtësia për masakrën e Çolës në vitin 2015, për të cilën ishte dënuar me 35 vite burg në mungesë. Në atë ngjarje mbetën të vrarë 3 të rinj: Akil Hasanaj, Ardi Velaj dhe Albi Limaj. Ngjarja ndodhi si pasojë e një sherri banal të nisur në një kazino të qytetit bregdetar, ku Hasanaj dhe Velaj dhunuan në një lokal lojërash fati 21-vjeçarin Xhuliano Lutaj. Disa orë pas sherrit, miqtë e këtij të fundit, mes tyre Bertil Alliaj, kanë shkuar në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe janë hakmarrë.

Nga ana tjetër, Dalan Alliaj, viktima e së shtunës në mbrëmje, i ekzekutuar nga djali i xhaxhait të tij, rezulton administrator i kompanisë “Allidagu” në Fier, me aktivitet në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë. Familja Alliaj ka hapur dyert e mortit të dielën, më 2 nëntor, për ta përcjellë trupin e të ndjerit drejt banesës së fundit në orën 13:00.

Scroll to Top