Zbulohen Detaje të Reja nga Krimi në Komunën e Parisit, Autori Pretendon të Jetë Ngacmuar
Janë zbuluar detaje të reja lidhur me vrasjen e ndodhur pak ditë më parë në Komunën e Parisit, ku Filip Shehu goditi me thikë kamarierin 34-vjeçar, Indrit Ismaillari. Aktualisht i paraburgosur, autori ka deklaruar në gjykatë se viktima e ka fyer dhe ngacmuar.
Filip Shehu ka pohuar se për vdekjen e kolegut të tij mësoi një ditë më pas, pasi në fillim kishte informacion se 34-vjeçari kishte mbetur vetëm i plagosur. Më herët, ai kishte deklaruar se konflikti kishte qenë i çastit dhe lidhej vetëm me punën, por shtoi se me viktimën kishte pasur marrëdhënie konfliktuale të gjata.
Nga ana tjetër, anëtarë të tjerë të stafit të lokalit kanë deklaruar se viktima, Indrit Ismaillari, nuk ishte një person problematik dhe nuk zihej me askënd. Viktima ishte pjesë e këtij restoranti prej pesë vitesh, ndërsa autori ishte punësuar aty prej disa muajsh.
Autori vijon të mbajë të njëjtën dëshmi, duke deklaruar se “ndjehesha i kërcënuar, cënuar, kishim konflikte të vazhdueshme”, ndërkohë që ky pohim nuk konfirmohet nga stafi i biznesit. Nuk janë raportuar debate të ashpra mes tyre.
Lidhur me dinamikën e ngjarjes, gjithçka ka nisur për shkak të një pjese proshute. Autori kishte marrë një pjatë me proshutë, të cilën viktima i kishte thënë të mos e merrte. Fillimisht nisi një debat verbal, më pas Filip Shehu mori një thikë dhe e goditi viktimën në qafë, duke i prekur arterien kryesore. Kjo plagë rezultoi fatale për 34-vjeçarin.
Autori ka qëndruar i qetë duke pritur mbërritjen e policisë. Ai pritet t’i nënshtrohet një ekzaminimi psikologjik. Raportohet se ai ka probleme sociale, jetonte i vetëm prej muajsh dhe kishte probleme me familjen.
34-vjeçari Indrit Ismaillari, kamerier në lokalin në zonën e Komunës së Parisit, ka humbur jetën pasi është goditur me thikë nga Filip Shehu, i cili punonte si kuzhinier në këtë biznes.
