Krimi godet sërish në Shqipëri: Vrasje e atentate mafioze

Krimi godet sërish: Policia numëron viktimat, gëzhojat dhe makinat e djegura

Pas Rinasit, Lushnjës, Vlorës dhe Tiranës, atentati i radhës vjen nga Elbasani. Deklarata e Ministres së Brendshme, Albana Koçiu, më 11 nëntor në Kuvend, se “Në Shqipëri nuk ka më vrasje mafioze”, duket se nuk ka zgjatur shumë. Vetëm pak kohë më pas, në hyrje të aeroportit të Rinasit, një nga zonat më të ruajtura në vend, 4 persona të maskuar kanë qëlluar me armë zjarri, duke i marrë jetën Gilmando Danit. Shoku i tij, Muçi Shaljani, i cili ndodhej me të në makinë, ndërroi jetë pak ditë më vonë në spital. Autorët dogjën makinën në një fshat të Fushë-Krujës dhe nuk u zbuluan më.

Jo shumë larg, më 25 nëntor, Lushnja u trondit nga një tjetër breshëri plumbash. Shënjestra ishte Julian Sulo, i njohur edhe si “Juli i Pashakos”, i cili arriti të shpëtonte me një plagë të lehtë. Autorët dogjën makinën bashkë me armët dhe u zhdukën pa lënë gjurmë, duke kryer edhe ky një atentat me tipare mafioze.

Gjatë kësaj periudhe, nuk kanë munguar as ngjarje të tjera të rënda:

  • Një sulm me armë ndaj një biznesi në Kukës.
  • Një shpërthim me tritol në Kamzë (15 nëntor), ku shënjestër ishte biznesi i dy vëllezërve, të cilëve policia raporton se u ishte kërkuar një gjobë prej 500 mijë eurosh nga një grup kriminal.

Në pranga u vu edhe ish-polici Jeton Lami, personi që shoqëroi për herë të fundit Ervis Martinajn, por sipas vendimit të gjykatës, nuk kishte prova për ta lënë atë në qeli.

Ngjarja më e fundit raportohet të ketë ndodhur mëngjesin e kësaj të diele, më 30 nëntor, në Vlorë. Një shpërthim tritoli ndaj një banese tronditi qytetin. Shënjestër ishte një person i cili aktualisht ndodhet në burg, i dënuar me 35 vite burgim për një atentat të ndodhur në vitin 2019 në Lungomare të Vlorës, ku shënjestër ishte Inez Hajrulla. Të dhënat flasin për përplasje mes grupesh kriminale.

Vulosjen kësaj situate ia dha Elbasani. Rreth orës 20:35, biznesmeni Mondi Mëhalla, i njohur edhe si Edmond Hyka, u ekzekutua në një atentat tipik mafioz. 43-vjeçari jetonte në Kodrën e Diellit në Tiranë, por kishte kryesisht biznes karburantesh në Elbasan, ku zotëronte disa karburante dhe një kompani taksie. Pasi doli nga zyra dhe hyri në makinën e tij “Range Rover”, dy persona iu afruan dhe hapën zjarr me pistoletë. Për shkak të dy plumbave në kokë dhe tre në trup, Mëhalla nuk mundi të mbijetojë. Autorët u larguan me një “Audi” të zi drejt Librazhdit, ku edhe humbën gjurmët. E kaluara e viktimës përfshin arrestime për çështje droge dhe armëmbajtje pa leje.

Policia, edhe këtë herë, lëshoi një deklaratë standarde se “një grup hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e autorëve”. Ministrja e Brendshme duket se është e justifikuar, pasi shefi i saj i ka lënë detyrë, që në ditën e emërimit, “të mos merret me policinë”. Vërejtja kryesore mbetet se askush në Ministrinë e Brendshme nuk pi më cigare në ambiente të mbyllura.

Scroll to Top