Hën. Sht 24th, 2018

Kriminaliteti, Rama: Fund autoritetit të elementëve të rrezikshëm

TIRANË, 7 Shtator.- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nëse i referohemi shifrave të vrasjeve të ndodhura në Shqipëri, shohim se në periudhën maj -gusht në vitin 2010 ka pasur 45 vrasje, këtë vit maj-gusht ka 13, duke përfshirë edhe masakrën e 8 të vrarëve menjëherë nga një i çmendur”.

Në fjalën e tij në punimet e Asamblesë së Tiranës, kryeministri Rama tha se “në 2011 në periudhën maj-gusht ka pasur 43 vrasje, në 2012 47, në 2013 36. Tani këta që na flasin që krijojnë gjithë këtë zhurmë sikur këtu po ndodh hataja, janë këta që kanë drejtuar Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, ku kishte mbi 40 vrasje çdo verë”.

“Në Shkodër sot që flasim kemi më pak se gjysmën e vrasjeve krahasuar me të njëjtën periudhë të drejtimit të Partisë Demokratike”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “ne duhet të kuptojmë që jetojmë në kohën ku çdo shqiptar është kameraman, gazetar, janë rrjetet sociale, mediat dhe tregu mediatik nuk ka vend për t’iu dhënë njerëzve 5 shifra. Ky është realiteti”.

Sipas tij, ne duhet të vëmë një vijë të kuqe të qartë dhe plot ndriçim në çdo qytet për të gjithë rrugeçërit.

Këtu, vijoi Rama, flitet banda banda, por këtu kemi të bëjmë me rrugeçërit kryesisht, por edhe me elementë të tjerë të rrezikshëm.

“Këta duhet të humbasin autoritetin që kanë në rrugët e qyteteve, pa hyrë tek krimet e të tjerat që janë objekt i punës së përditshme të policisë”, tha Rama duke shtuar se këta duhet të humbasin çdo autoritet që gëzojnë prej shumë vitesh, duhet ta humbasin sot jo nesër”, tha ai.

Kreu i qeverisë theksoi se “për të parë se ku e kanë vendin nuk mjafton vullneti ynë, duhet edhe prokuroria edhe gjykata. Sepse në Shqipëri të paktën sa e drejtojmë ne po të llogarisim se sa nga këta kanë hyrë e kanë dalë për shkak të gjykatave do të shikojmë se kemi një hendek shumë të madh”./k.s/j.p/

Kategori