Braçe: Problematikat e fermerëve dhe blegtorëve u dëgjuan në “Samitin e Cërrikut”
Në Komisionin e Ekonomisë u zhvillua një seancë dëgjimore për buxhetin me shoqatat e bizneseve, të cilat prezantuan edhe kërkesat e tyre. Deputeti i PS, Erion Braçe, theksoi se këto kërkesa janë dëgjuar tashmë shumë herë dhe kritikoi ministrin e Bujqësisë për mungesën e reflektimit.
“Të njëjtat propozime i kam dëgjuar për shumë vite, dhe ju gjithashtu i keni dëgjuar në ‘Samitin e Cërrikut’,” tha Braçe. “Problemi është se koha kalon. Për fermerët, koha është si një lopë që plaket, nuk prodhon më si më parë, sëmuret dhe bie nga prodhimi. Po kështu, fermat digjen ose përmbyten.”
Ai shtoi se të gjitha propozimet e bëra nga përfaqësuesit e prodhuesve blegtoralë nuk kanë kosto shtesë për buxhetin e shtetit, pasi mund të realizohen duke bërë rregullime në legjislacionin ekzistues.
“Kjo qasje ku ministritë vendosin si do të bëhen gjërat dhe bizneset detyrohen t’i ndjekin, ka sjellë këtë situatë,” theksoi Braçe. “Unë do të zhvilloj një takim të dytë apo të tretë me ministrin e Bujqësisë, por ai ishte në Cërrik dhe dëgjoi këto probleme 5-6 muaj më parë.”
Braçe vuri në dukje se ministri, duke qenë në detyrë prej dy muajsh, duhet të kishte reflektuar dhe sugjeroi se ai mund të kishte bërë ndryshime në ligjin e paraqitur së fundmi. Megjithatë, ministri u shpreh i kënaqur me skemën e kompensimit të fermerëve.
Ai rikujtoi se edhe ministri i Financave, i cili kishte qenë gjithashtu prezent në Samitin e Cërrikut, i ka dëgjuar këto problematika. Braçe përfundoi duke nënvizuar se masa më e thjeshtë, siç ishte vendosja e policisë në rrugë pas takimit në Cërrik, nuk zgjidh problematikën reale me të cilën përballen fermerët në procesin e prodhimit.
