Kriza e energjisë rikthehet në Kosovë, duke ngritur sërish pyetje rreth shkaqeve të këtij ngërçi të vazhdueshëm.
Dy termocentrale të vjetra prej disa dekadash, Kosova A dhe Kosova B, bartin barrën kryesore të furnizimit me energji elektrike për më shumë se 1.5 milionë banorë. Megjithëse miliona euro janë ndarë për rehabilitimin e tyre dhe për rritjen e sigurisë së furnizimit me energji, duke iu përgjigjur nevojave në rritje të qytetarëve, këto fonde pritet të jenë në dispozicion vetëm nga viti 2025, sipas Qeverisë në detyrë. Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) gjithashtu kanë përmendur investime milionëshe në rrjet.
Megjithatë, periudha e fundvitit duket se sfidon të gjitha llogaritë. Faktorë si ulja e temperaturave atmosferike dhe kthimi i diasporës në Kosovë kontribuojnë në rritjen e kërkesës. më 22 dhjetor, KEDS u bëri thirrje qytetarëve për kursim të energjisë gjatë orëve të pikut, për të ruajtur stabilitetin e furnizimit. Konsumi i energjisë ka arritur mbi 1.365 megavat në orë ditët e fundit. Për shkak të ngarkesës së madhe në rrjetin e shpërndarjes, pati ndërprerje të energjisë në disa qytete. Bizneset janë ankuar për dëme të mëdha. Ka gjithashtu shqetësime se këto reduktime mund të ndikojnë edhe në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Prodhimi vs. Importi
Kosova prodhon rreth 94% të energjisë së saj, ose rreth 800 megavat në orë, kryesisht përmes djegies së thëngjillit. Sasia e mbetur sigurohet nga burimet e ripërtërishme, duke përfshirë hidrocentralet, panelet diellore dhe turbinat e erës.
Ish-ministri i Energjisë i Kosovës, Ethem Çeku, thekson për Radion Evropa e Lirë se thelbi i krizës qëndron te mungesa e investimeve kapitale në sektorin e energjisë dhe pamundësia për të tërhequr investitorë të mëdhenj, gjë që pritet të çojë në rritje të vazhdueshme të çmimit të energjisë.
“Investimet janë minimale. Nuk kanë mundur të mbajnë prodhimin blloqet e Kosovës A dhe B, tregu nuk është hapur për investime private në energjinë diellore dhe të erës. Janë investime shumë të vogla”, shprehet ai. Sipas tij, paraja e shtetit po shkon kryesisht në blerjen e energjisë, një politikë që e cilëson si krejtësisht të gabuar.
Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se nga janari deri në nëntor 2025, vendi ka importuar energji elektrike në vlerë rreth 248 milionë euro, ndërsa ka eksportuar rreth 48 milionë euro. Importi kryesor ka ardhur nga Maqedonia e Veriut (114 milionë euro) dhe Shqipëria (94 milionë euro), si dhe nga Sllovenia, Serbia dhe Danimarka në vlera më të vogla.
Kohët e fundit, mediat kanë raportuar akuza për bashkëpunim me biznesmenë serbë për blerjen e energjisë përmes skemave të ndryshme, por Qeveria në detyrë i ka hedhur poshtë këto pretendime.
Shansi i humbur me Kosovën e Re
Në vitin 2017, Kosova nënshkroi një marrëveshje komerciale me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re. Projekti, me vlerë 1.3 miliardë euro, pritej të rriste kapacitetin prodhues të energjisë me 500 megavat. Termocentrali ishte planifikuar të fillonte operimin në vitin 2023 dhe të kishte një jetëgjatësi prej 40 vjetësh.
Shoqëria civile në Kosovë dhe disa zëra ndërkombëtarë e kundërshtuan ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill për shkak të shqetësimeve mjedisore. Në vitin 2020, Contour Global u tërhoq nga projekti, duke përmendur se nuk synonte më projekte me thëngjill dhe për shkak të ndryshimit të udhëheqjes në Kosovë. Në atë kohë, qeverisnin Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat kishin shprehur shqetësime për mundësinë e shtrenjtimit të çmimit të energjisë.
Megjithatë, Çeku beson se Kosova duhej t’i bindte Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të ndërtohej termocentrali i ri me investitorë të fuqishëm.
“Ne nuk kemi alternativë tjetër. Hidrocentralet janë minimale, energjia e erës është e vogël, energjia diellore është me kosto shumë të lartë, edhe pse ka ditë të mjaftueshme me diell. Mirëpo, bazën e zhvillimit të sektorit të energjisë duhej ta siguronim me linjit”, thotë ai, duke shtuar se edhe shtetet evropiane kanë plane rezervë për prodhimin e energjisë me thëngjill, sidomos pas nisjes së luftës në Ukrainë, e cila përkeqësoi krizën energjetike.
Planet e Kosovës në të ardhmen
Në mars 2023, Kosova miratoi Strategjinë për Energji 2022-2031. Përveç rinovimeve të termocentraleve aktuale, prioritet kanë burimet e ripërtërishme, nga të cilat pritet të gjenerohet 35% e energjisë elektrike pas 10 vjetësh.
Për më tepër, Kosova nënshkroi një marrëveshje për dekarbonizim, pra heqjen e thëngjillit nga përdorimi, deri në vitin 2050. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës, që nga viti 2022, ka ndarë subvencione për qytetarët që blejnë pajisje efikase për ngrohje (klima, pompa termike, kaldaja me biomasë). Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se ky vendim nuk ishte menduar mirë, sepse vetëm e ka ngarkuar edhe më tepër rrjetin energjetik.
“Politika e subvencioneve, herë për fatura, herë për disa çështje të tjera, nuk janë zgjidhje e problemit. Janë thjesht mbulim i problemit”, vlerëson ish-ministri Çeku.
Një tjetër projekt madhor për energjinë u prezantua në prill 2024 nga Kosova dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë amerikane. Programi, me vlerë 236 milionë dollarë, parashikon transformimin e sektorit të energjisë përmes ndërtimit të njësive apo baterive për ruajtjen e energjisë, në mënyrë që ajo të shfrytëzohet më pas sipas nevojave.
