“`html
PNUD ngre alarmin për të moshuarit: Po troket kriza humanitare
Plakja e popullsisë po ndryshon gjithnjë e më shumë strukturën sociale në Shqipëri, duke u shndërruar paralelisht në një krizë shëndetësore dhe humanitare.
Të dhënat e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) për Shqipërinë, të cilat pritet të jenë aktuale në vitin 2026, tregojnë se rreth 20% e popullsisë do të jetë mbi moshën 65 vjeç. Me rritjen e kësaj grupmoshe, rriten edhe sfidat për ofrimin e kujdesit ndaj tyre.
Edhe pse familja vijon të jetë mbështetja kryesore, roli i saj po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Të dhënat e PNUD zbulojnë se:
- 43-49% e të moshuarve kujdesen nga njëri nga bashkëshortët.
- 32-45% e pjesës tjetër kujdesen nga fëmijët.
Megjithatë, kjo strukturë mbështetëse po dobësohet për shkak të emigracionit dhe ndryshimeve sociale. Burrat mbështeten kryesisht tek gratë për kujdes, ndërsa gratë e moshuara janë më të ekspozuara ndaj vetmisë dhe shpesh mbeten pa mbështetje. Për një pjesë të konsiderueshme të të moshuarve, mungesa e familjarëve është një problem i përditshëm.
Rreth 41% e të moshuarve që kanë nevojë për ndihmë të vazhdueshme jetojnë larg fëmijëve ose të afërmve, çka e vështirëson përballimin e nevojave bazë.
Gjendja shëndetësore përbën një tjetër sfidë të madhe. Shumica e të moshuarve vuajnë nga sëmundje kronike:
- 84% kanë probleme kardiovaskulare.
- 76% kanë kufizime fizike.
- 61% vuajnë nga artriti.
- Një në pesë përballet edhe me probleme të shëndetit mendor.
Në të njëjtën kohë, 68% e të moshuarve me varësi të lartë nuk ndihen të sigurt në banesat e tyre. Situata rëndohet nga mungesa e transportit publik për 61% të tyre, duke kufizuar aksesin në shërbimet shëndetësore, veçanërisht jashtë Tiranës.
Vështirësitë ekonomike mbeten një pengesë e fortë për marrjen e shërbimeve. Të ardhurat e të moshuarve janë si më poshtë:
- Rreth 13% jetojnë me më pak se 10 mijë lekë në muaj.
- 72% kanë të ardhura nga 10 mijë deri në 30 mijë lekë.
Si pasojë, 67% deklarojnë se nuk mund të përballojnë një kujdestar privat.
Edhe shërbimet publike nuk arrijnë të plotësojnë nevojat në rritje. Qendrat rezidenciale dhe ato ditore përballen me mungesë personeli dhe nuk ofrojnë gjithmonë shërbime të nevojshme si fizioterapia apo kujdesi për demencën, megjithëse kërkesa për to është e lartë.
Në këtë situatë, presioni reflektohet edhe në gjendjen emocionale të të moshuarve. Rreth 72% e atyre me varësi të lartë raportojnë stres dhe ankth, një problem që bëhet më i theksuar tek ata që jetojnë vetëm.
Të dhënat tregojnë se plakja e popullsisë po kthehet në një sfidë të rëndësishme për politikat sociale, duke kërkuar më shumë mbështetje dhe shërbime për këtë kategori.
“`
