Kriza ujore Iran: Mbjellja e reve & thatësira

Kriza me ujin në Iran, autoritetet nisin “mbjelljen e reve” pas thatësirës më të keqe prej dekadash

Autoritetet iraniane kanë filluar këtë fundjavë operacione për mbjelljen e reve me qëllim shkaktimin e reshjeve, ndërsa vendi po përballet me thatësirën më të rëndë të dekadave, sipas mediave shtetërore.

Agjencia e lajmeve IRNA raportoi të shtunën vonë se “Sot u krye një fluturim për mbjelljen e reve në pellgun e Liqenit Urmia për herë të parë këtë vit hidrologjik”, i cili fillon në shtator. Liqeni, më i madhi i Iranit, i vendosur në veriperëndim të vendit, është tkurrur ndjeshëm për shkak të mungesës së reshjeve. Sipas IRNA-s, planifikohen operacione të mëtejshme në provincat Azerbajxhani Lindor dhe Azerbajxhani Perëndimor.

Vitit të kaluar, Teherani njoftoi se kishte zhvilluar teknologjinë e vet për mbjelljen e reve duke përdorur avionë. Irani, kryesisht një vend i thatë, vuan prej vitesh nga thatësira dhe valët e nxehtësisë, të cilat pritet të përkeqësohen nga ndryshimet klimatike.

IRNA raportoi se Irani po përjeton “vjeshtën më të thatë në 50 vjet”. Sipas shërbimit meteorologjik kombëtar, reshjet këtë vit janë 89% nën mesataren afatgjatë.

Megjithatë, të shtunën IRNA raportoi shi në disa zona perëndimore dhe veriperëndimore të vendit. Mediat lokale transmetuan video me reshje të forta në Ahvaz dhe Shushtar (jugperëndim), si dhe në Salmas, Urmia (veriperëndim) dhe Abdanan (perëndim). Në disa zona, shiu i rrëmbyeshëm ka shkaktuar përmbytje.

Mediat shtetërore treguan gjithashtu pamje të borës së parë në malet Alborz dhe në qendrën e skive Tochal, në veri të kryeqytetit.

Një zyrtar lokal tha në tetor se vendi po përballet me një krizë të rëndë uji dhe se niveli i ulët i reshjeve në Teheran është pothuajse i paprecedentë në një shekull. Nga 31 provincat iraniane, 15 nuk patën asnjë pikë shi këtë vjeshtë, raportojnë mediat iraniane. Nivelet e ujit në rezervuarët që furnizojnë shumë provinca kanë rënë në minimumin historik.

Në fillim të këtij muaji, presidenti i Iranit paralajmëroi se Teherani mund të evakuohet për shkak të mungesës së ujit nëse nuk bie shi deri në fund të vitit. Masoud Pezeshkian nuk sqaroi se si do të zhvillohej një operacion i tillë. Qeveria sqaroi më vonë se qëllimi ishte informimi i publikut për seriozitetin e situatës, jo shpallja e një plani konkret.

Vende të tjera në rajon, veçanërisht Emiratet e Bashkuara Arabe, përdorin gjithashtu mbjelljen e reve për të nxitur reshjet.

Scroll to Top