Kroacia mund të padisë Shqipërinë për mbetje në Dubrovnik

Kroacia mund të padisë Shqipërinë për mbeturinat që pushtuan Dubrovnikun

Në Kroaci po shqyrtohet mundësia e ngritjes së një padie kundër Shqipërisë për shkak të mbeturinave që u transportuan para pak ditësh detarisht drejt brigjeve të Dubrovnikut.

Kjo tezë është ngritur gjatë një mbledhjeje të këshillit bashkiak të qytetit bregdetar kroat nga këshilltarja dhe avokatja Viktorija Knežević. Ajo u shpreh:

“Pas një analize të plotë të situatës, përgjigjja është se teorikisht mundemi të ngrejmë padi, por praktikisht është shumë e vështirë të kemi sukses. Kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga idea nëse asgjë tjetër nuk ndihmon. Pyetja më e rëndësishme tani është se çfarë tjetër mund të bëjmë për të ndaluar përsëritjen e fenomenit të plazheve tona të mbushura me mbeturina.”

Viktorija Knežević ka theksuar se Konventa e Barcelonës detyron të gjitha vendet mesdhetare, përfshirë Shqipërinë, të marrin masa për të zvogëluar sasinë e mbeturinave që përfundojnë në det. Kroacia mund të kërkojë gjithashtu që Adriatiku jugor të shpallet zonë prioritare në këtë drejtim.

“Shqipëria është në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, gjë që i jep Kroacisë një mjet të fuqishëm për të kërkuar rezultate konkrete dhe të matshme në mbrojtjen e Adriatikut nga mbetjet. Ekziston një projekt kroato-shqiptar me UNDP-në që mund të zgjerohet për të përfshirë grykëderdhjet e lumenjve dhe vendgrumbullimet problematike të mbetjeve,” tha Knežević.

Sipas saj, mbetjet që shfaqen në plazhe përbëjnë vetëm rreth 20% të totalit të mbeturinave, pasi rreth 80% e mbetjeve ‘lëvizëse’ fundosen në shtratin e detit.

“Ajo që pamë është vetëm maja e ajsbergut dhe barra e vërtetë mjedisore mbetet nën det, ku ne me sy të lirë nuk mund ta shohim, por ekosistemi ynë, peshkatarët, turizmi dhe shëndeti detar vuajnë pasojat,” shtoi ajo.

Knežević thekson se ka modele bashkëpunimi për përballimin e situatës me mbetjet që kanë pasur sukses tashmë në Detin Baltik, ku vendet fqinje kanë arritur të zvogëlojnë në mënyrë drastike sasinë e mbeturinave në bregdet përmes një plani të përbashkët veprimi.

Scroll to Top