Kryebashkiaku socialist i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar përfundimin e hetimeve ndaj kryetarit socialist të Bashkisë Vau i Dejës, Kristian Shkreli. Ai akuzohet për premtime dhe realizim të investimeve gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, në këmbim të votave për Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë (PSD), e cila drejtohet nga Tom Doshi. Tom Doshi është përmendur si pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për përfshirje në korrupsion.
Çështja ndaj Shkrelit është dërguar në gjykatën përkatëse, ku është caktuar gjyqtarja Flora Hajredinaj për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për gjykimin e tij. Shkreli akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar se Kristian Shkreli, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025.
“Gjatë fushatës zgjedhore, Kristian Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në Bashkinë Vau Dejës, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Gjithashtu, gjatë hetimit është vënë re se Shkreli ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore duke mbështetur PSD-në, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike. Ky investim është realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, ndërkohë që kryebashkiaku socialist u ka kërkuar banorëve të votonin për PSD-në e Tom Doshit.
Kristian Shkreli u zgjodh kryebashkiak i Vaut të Dejës në maj të vitit 2023, si kandidat i Partisë Socialiste. Gjatë një takimi në fillim të majit, kryeministri Edi Rama i kishte tërhequr vëmendjen Shkrelit, duke i thënë të mos luante me dy porta.