Kryetari i Kuvendit të Kosovës zyrtarisht i zgjedhur
Albuena Haxhiu, përfaqësuese e Lëvizjes Vetëvendosje, është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky vendim u përkrah nga 66 deputetë.
Më pas, Kuvendi miratoi raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve të legjislaturës së dhjetë, me 118 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Kryesuesi i Komisionit, Adnan Rrustemi, informoi se dokumentacioni zgjedhor është shqyrtuar.
“Komisioni, bazuar në shqyrtimin e dokumentacionit, konstaton se në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës janë certifikuar 120 deputetë nga subjektet politike dhe koalicionet që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Rezultatet sipas subjekteve janë: LVV 57 deputetë, PDK 22 deputetë, LDK 15 deputetë, SL 9 deputetë, AAK 6 deputetë, KDTP 2 deputetë, SPO 1 deputet, koalicioni Vakat 1 deputet, NDS 1 deputet, IRDK 1 deputet, SDU 1 deputet, PLE 1 deputet, PSA 1 deputet, JGP 1 deputet dhe LPRK 1 deputet”, u shpreh Rrustemi.
Për formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve votuan pro 118 deputetë. Anëtarët e komisionit u mblodhën menjëherë, ndërsa Kuvendi mori një pauzë 15-minutëshe në pritje të përfundimit të punës së komisionit.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, shpjegoi se ky komision do të shqyrtojë dokumentacionin përkatës për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Gjithashtu, do t’i paraqesë Kuvendit raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve dhe do të verifikojë kuorumin në seancën themeluese të legjislaturës së dhjetë.
Dehari shtoi se kryesuesi i Komisionit të Përkohshëm duhet të jetë nga Lëvizja Vetëvendosje, si parti me numrin më të madh të deputetëve. Lëvizja Vetëvendosje propozoi Adnan Rrustemin për këtë pozitë. Partia Demokratike e Kosovës propozoi Përparim Grudën, LDK-ja propozoi Armend Zemajn, Lista Serbe propozoi Srxhan Popoviqin, AAK-ja propozoi Albana Bytyqin, ndërsa KDTP propozoi Fatma Taçin. Kolaicioni Vakat propozoi Rasim Demirin, NDS propozoi Emilja Rexhepin, IRDK propozoi Elbert Krasniqin, PLE propozoi Veton Berishën, Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Duda Balje nga SDU, Artan Asllani nga PSA, Erxhan Galushi nga LPRK dhe Adem Hoxha nga JGP.
