Kursi Euro-Lek arrin minimum historik, shkaqet analizë

Kursi Euro – Lek arrin minimum të ri historik në 96.41 lekë

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun ka shënuar një rënie të re. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, sot Euro u këmbye me 96.41 lekë, duke prekur sërish nivelin më të ulët historik, i cili ishte regjistruar edhe më parë më datë 11 shkurt.

Në të dhënat historike, rënia e Euros nuk është shumë tipike për tremujorin e parë të vitit, pasi zakonisht gjatë kësaj periudhe flukset valutore hyrëse janë më të pakta. Megjithatë, gjatë këtij viti, kjo ecuri sezonale duket të jetë përgënjeshtruar.

Ekspertët vlerësojnë se tregu valutor është i ngopur me Euros dhe kërkesa për monedhën europiane është e dobët. Madje, as blerjet rekord të Bankës së Shqipërisë nuk kanë qenë të mjaftueshme për të frenuar trendin në rënie të kursit të Euros. Sipas të dhënave nga tregu, këto ndërhyrje po vazhdojnë edhe gjatë këtij muaji.

Për nëntë muajt e parë të vitit 2025, Banka e Shqipërisë bleu gjithsej 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, duke shënuar kështu vlerën më të lartë historike të blerjeve për këtë periudhë.

Ndërkohë, për vitin 2026, Banka e Shqipërisë synon të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm, me një objektiv prej 330 – 450 milionë euro përmes ankandeve, me qëllim rritjen e rezervës valutore. Ky objektiv është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet e mëparshme. Gjatë vitit 2026, janë programuar 26 ankande për blerje valute, ku ankandi i parë do të zhvillohet më 19 shkurt.

Në muajt janar dhe shkurt, një studim i zhvilluar paralelisht nga “Monitor” me ekspertë të sektorit financiar dhe një sondazh me publikun, kanë analizuar arsyet e vlerësuara të rënies së kursit Euro-Lek.

Bazuar në përgjigjet e ekspertëve, faktori kryesor që ka kontribuar në vijimësinë e rënies së kursit të këmbimit Euro-Lek ka qenë turizmi dhe përgjithësisht rritja e eksporteve të shërbimeve në ekonominë shqiptare. Faktori i dytë më i shpeshtë i përmendur nga ekspertët janë remitancat, me një ndikim mesatar vlerësuar në 3.91. Ndikimi i tretë për nga rëndësia, sipas ekspertëve, vjen nga prurjet informale të valutës, me një vlerësim mesatar 3.83, ndërsa prurjet e paligjshme të valutës kanë një ndikim lehtësisht më të ulët, me një vlerësim mesatar 3.58.

Nga ana tjetër, rezultatet e sondazhit me publikun tregojnë se shumica e pjesëmarrësve mendojnë se faktorët kryesorë që kanë sjellë rënien e kursit të Euros janë prurjet e paligjshme të valutës (36% e përgjigjeve) dhe prurjet informale (30%). Të tjerë faktorë vijnë me diferencë të konsiderueshme, si turizmi (13%), investimet e huaja në prona (9%) dhe remitancat (5%).

Sondazhi nxjerr në pah se, në perceptimin e opinionit publik, ekonomia informale dhe e paligjshme është faktori me ndikimin më të madh në rënien e kursit të këmbimit mes Euros dhe Lekut.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Scroll to Top