Kursi i Euros arrin një minimum të ri historik në 96.59 lekë.
Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka nisur muajin dhjetor me një rënie të lehtë. Të mërkurën, ky kurs shënoi një minimum të ri historik, duke prekur nivelin e 96.59 lekëve. Kjo vlerë përbën një rënie të lehtë nga minimumi i mëparshëm prej 96.6 lekësh, i cili ishte regjistruar në tetor të këtij viti.
Ecuria e kursit ka treguar se presionet zhvlerësuese mbi monedhën europiane kanë vazhduar edhe gjatë vitit 2025. Agjentët e tregut valutor e shpjegojnë këtë tendencë me ofertën e qëndrueshme të monedhës europiane në tregun valutor, një fenomen që është theksuar veçanërisht pas tremujorit të tretë të vitit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vëllimi i tregtimeve valutore u rrit me 24.4% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Kjo rritje, më e lartë se ajo prej 21% e tremujorit të tretë 2024, sugjeron se rritja e volumit të këmbimeve mund të jetë pjesërisht e lidhur me efektin sezonal të turizmit. Megjithatë, agjentët e tregut perceptojnë gjithashtu një efekt të konsiderueshëm nga prurjet valutore të lidhura me aktivitete informale.
Rritja e volumit të këmbimeve është një tregues tërthor i hyrjes së më shumë valutë të huaj në ekonomi. Megjithëse Leku ka vijuar të forcohet, mbiçmimi vjetor është ulur ndjeshëm krahasuar me ritmet e dy viteve të mëparshme. Aktualisht, kursi i këmbimit Euro – Lek është në rënie me 1.8% krahasuar me të njëjtën ditë të vitit të kaluar.
Ngadalësimi i rënies së Euros është i lidhur me ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor, me qëllim parandalimin e mbiçmimit të mëtejshëm të monedhës vendase. Për 9-mujorin e vitit 2025, blerjet e valutës në tregun e brendshëm nga Banka e Shqipërisë kanë arritur në afërsisht 800 milionë euro. Me këtë ritëm, pritet që deri në fund të vitit shuma e blerjeve të kalojë nivelin rekord prej 933 milionë eurosh të regjistruar gjatë vitit 2024.
Banka e Shqipërisë i ka argumentuar ndërhyrjet e saj me objektivin e inflacionit, i cili në dy vitet e fundit ka qenë nën nivelin e shënjestruar prej 3%. Megjithatë, kjo politikë po has kritika nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Në deklaratën e tij të fundit, FMN rekomandoi që Banka e Shqipërisë duhet të pakësojë ndërhyrjet në kursin e këmbimit valutor. Sipas FMN-së, kursi i këmbimit duhet të veprojë si amortizator goditjesh me fleksibilitet më të madh, ndërsa akumulimi i rezervave duhet të udhëhiqet nga një analizë kosto-përfitim.
Analiza e stafit të FMN-së sugjeron se vlerësimi i kursit real të Lekut drejtohet kryesisht nga faktorët themelorë, ndërsa flukset spekulative financiare luajnë një rol modest. Për rrjedhojë, FMN rekomandon që Banka e Shqipërisë të lejojë fleksibilitet më të madh të kursit të këmbimit dhe të mbështetet te normat e interesit për stabilitetin e çmimeve, duke rezervuar ndërhyrjet në tregun valutor për raste të rralla të goditjeve jo-themelore. FMN gjykon se përfitimet nga akumulimi i rezervave duhet të peshohen ndaj kostove oportune në rritje, rreziqeve të normave të interesit dhe humbjeve të mundshme nga rivlerësimi valutor.
Nga ana tjetër, forca e Lekut këtë vit është mbështetur pjesërisht nga politika fiskale e ndjekur nga qeveria. Në fund të 9-mujorit, balanca buxhetore rezultoi pozitive, në vlerën 49.2 miliardë lekë. Suficiti i lartë buxhetor ka ulur ofertën e monedhës vendase në treg dhe ka nxitur më tej tendencat e saj mbiçmuese.
