Rivlerësimi i pronës me taksë 5%: Tatimet njoftojnë kursime prej 120.5 milionë euro për tatimpaguesit deri në korrik
Nga fillimi i procesit të rivlerësimit të pronës, ku tatimi për shitblerjen e pasurive të paluajtshme është ulur nga 15% në 5%, individët kanë përfituar mbi 100 milionë euro.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) ka publikuar të dhënat më të fundit, sipas të cilave, vetëm gjatë periudhës janar-korrik, ky proces ka sjellë kursime fiskale prej 120.5 milionë euro për tatimpaguesit.
Tatimet u bëjnë thirrje individëve që të shfrytëzojnë ende mundësinë për të përfituar nga kjo lehtësi fiskale, duke paraqitur aplikimet brenda afateve ligjore.
Procesi i rivlerësimit u mundëson përfitime si individëve që synojnë të shesin një pasuri të paluajtshme, ashtu edhe atyre që kanë regjistruar pronat e tyre me një vlerë më të ulët se ajo e tregut. Në të dyja rastet, tatimi do të llogaritet mbi diferencën mes vlerës së mëparshme të regjistruar dhe vlerës së re të shitjes apo të tregut, duke qenë 5% në vend të 15% që aplikohet në kushte normale.
