Albin Kurti nuk i kursen kritikat ndaj Serbisë në samitin e Procesit të Berlinit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar në rrjetin e tij social Facebook fjalimin që mbajti sot në samitin e 12-të të Procesit të Berlinit, i cili po zhvillohet në Londër.
Në fjalën e tij, Kurti u ndal te marrëdhëniet e tensionuara të Kosovës me Serbinë. Ai theksoi se gjatë pesë viteve të fundit, Kosova ka bërë përparimin më të shpejtë në treguesit demokratikë, ekonomikë dhe të sigurisë.
Kurti theksoi se përparimi i Kosovës mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji verior, Serbia. Ai shtoi se sulmi terrorist në Banjskë, ku u vra oficeri Afrim Bunjaku, nuk mund të injorohet.
“Gjatë pesë viteve të fundit, Kosova ka bërë përparimin më të shpejtë në treguesit demokratikë, ekonomikë dhe të sigurisë. Kemi pasur një mesatare prej 6% rritje ekonomike dhe asnjëherë më pak se 4%. Para tre muajsh, Banka Botërore dhe FMN e hoqën Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prekura nga konfliktet, duke njohur kështu qëndrueshmërinë, stabilitetin dhe qeverisjen e mirë që kemi ndërtuar. Megjithëkëto, përparimi ynë mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji ynë verior. Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, tha Kurti.
