“`html
Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, ka komentuar propozimin e mundshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjet e ardhshme, ku Lumir Abdixhiku do të kandidojë për kryeministër dhe Vjosa Osmani për presidente.
Duke folur gjatë inaugurimit të punimeve për rrugën Kijëvë – Malishevë, Kurti theksoi se ndonëse mirëpret çdo individ me ambicie politike dhe vizion për qytetarët, është e rëndësishme të mos ngatërrohen dëshirat me realitetin.
Ai rikujtoi rezultatet e zgjedhjeve të katër muajve më parë, ku sipas tij, populli ka vendosur. “Për këtë vend nuk vendos asnjë kryetar partie, asnjë pretendent për çfarëdo posti, për këtë vendos populli,” tha Kurti, duke shtuar: “Dhe mos harroni qysh ka vendos populli para katër muajve. 51.1% ia dha LVV-së. Vetëm shikoni rezultatin konkret. LVV-ja 57 deputetë, ndërkohë PDK-LDK-AAK së bashku kanë 43. Njerëzit kanë dëshira, por nuk duhet t’i ngatërrojmë dëshirat me fakte.”
Kurti u pyet gjithashtu për vendimin e Gjykatës Speciale për shtyrjen e afatit për shpalljen e vendimit për katërshen e UÇK-së. Ai u shpreh se Kosova ka nevojë për një gjykatë normale, por gjithashtu theksoi nevojën për të nxjerrë mësime nga gabimet politike që kanë çuar në formimin e këtij institucioni.
“`
