Kurti shpall fitoren; Populli dhe Republika fitojnë në Kosovë

Kurti shpall fitoren në zgjedhje: Fitoi populli dhe republika e Kosovës!

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e cilësuar si fitoren “më të madhe në historinë e vendit”.

“Më 9 shkurt fitoi LVV-ja me partnerët, më 28 dhjetor fitoi populli i Kosovës dhe Republika”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se partia e tij është në rrugë për të tejkaluar rezultatin e 14 shkurtit 2021, kur kishte fituar 50.2 për qind. Sipas Kurtit, rezultati zgjedhor i së dielës kërkon ecje përpara pa vonesa.

“Sa më parë që certifikohen [rezultatet], aq më shpejt na duhet të krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punën e mirë”, tha Kurti.

Ai tha se legjislaturën e re e presin Plani i Rritjes i BE-së në vlerë prej 880 milionë eurosh dhe tre marrëveshje me Bankën Botërore, që në total arrijnë vlerën e mbi 1 miliard eurove.

“Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare” dhe për projektligje të tjera”, u shpreh ai.

I pyetur për çështjen e presidentit, Kurti tha se është herët për të diskutuar për zgjedhjen e presidentit të ri, duke theksuar se “sonte do të festojmë”. Ai shtoi se kjo çështje duhet trajtuar me opozitën, por edhe me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, mandati i së cilës skadon në mars.

Lidhur me mundësinë e negociimit me partitë opozitare për presidentin dhe që propozimin për president ta bëjnë ato, Kurti u shpreh: “Ta negocioni dhe t’ua jepni atyre janë dy gjëra të ndryshme. Nuk mund të përdoren si sinonime, aq më pak në të njëjtën fjali. Natyrisht që duhet ta bisedojmë me opozitën këtë çështje. Por, paraprakisht duhet të diskutojmë për marrëveshjet ndërkombëtare. Ai do të jetë një test i rëndësishëm për bashkëpunimin qeveri-opozitë në katërvjeçarin e ardhshëm. Po e rikthesoj, fillimisht duhet të presim certifikimin e rezultateve”.

Scroll to Top