Kurti: S’ka amnisti për manipuluesit e votave

Kurti: Nuk ka amnisti për komisionerë dhe individë të përfshirë në manipulime votash

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar hetime gjithëpërfshirëse dhe ndëshkim për personat e dyshuar për manipulim të votave brenda partive politike gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Kërkesa e Kurtit, liderit të partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, vjen pasi autoritetet arrestuan mbi 100 persona të premten nën dyshimin për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të muajit të kaluar.

Kurti, i cili ishte kritikuar më parë për mungesën e reagimit ndaj dyshimeve për manipulime votash kur ato u bënë publike javë më parë, deklaroi të shtunën në Facebook se “komisionerë dhe individë, që në mënyrë klandestine, janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike, nuk kanë amnisti”.

Javën e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua të nisë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte konstatuar mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë.

Kurti shtoi se partia e tij “ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përgjithmonë”.

Pas përfundimit të rinumërimit në pothuajse gjysmën e vendvotimeve, rezulton se rreth 80 mijë vota janë të pasakta, sipas Eugen Cakollit nga organizata joqeveritare, Instituti Demokratik i Kosovës.

Në mesin e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, ka përfaqësues nga partitë kryesore, përfshirë vetë Vetëvendosjen.

Kurti insistoi se dyshimet duhet të hetohen dhe se “manipuluesit duhet të ndëshkohen; këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”.

Autoritetet po kryejnë hetime në tri komuna: Prizren, Ferizaj dhe Malishevë, me Prizrenin që dyshohet të jetë vendi ku ka pasur më shumë manipulime të votave.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha të premten se të arrestuarit në rajonin jugor të vendit janë kryesisht komisionerë dhe në mesin e tyre ka edhe familjarë të kandidatëve për deputetë. Ata dyshohen për falsifikim të rezultateve zgjedhore, presion dhe kanosje, si dhe për dhënie e marrje të ryshfetit.

Sipas tij, një manipulim i tillë nuk ka mundur të ndodhë pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike.

“Po flasim për komunën e Prizrenit ku janë shtuar jo më pak se 40,497 vota dhe janë hequr jo më pak se 27,520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68,017 vota”, tha Kryeziu.

Në Kosovë, manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim. Megjithatë, së fundmi, organizata joqeveritare ÇOHU publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind të rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

Shumica e kandidatëve për deputetë, të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, kanë mohuar të kenë qenë të përfshirë në keqpërdorim dhe kanë dënuar këtë dukuri.

Scroll to Top