Kurti: Stabiliteti i Ballkanit varet nga dobësimi i ndikimit rus në Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i lidhur drejtpërdrejt me dobësimin e ndikimit rus në rajon, veçanërisht në Serbi dhe në Republikën Sërpska. Gjatë një interviste për të përditshmen zvicerane Neue Zürcher Zeitung, Kurti theksoi se rreziku për destabilizim nuk vjen nga vetë shtetet e rajonit, por nga ndërhyrjet hibride të Moskës.
“Brenda gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk ka as vullnet, as kapacitet për dhunë ndërshtetërore. Problematike është ndikimi hibrid i Rusisë përmes energjisë, ushtrisë dhe mediave. Ndryshimet e vërteta varen nga forcat demokratike në Serbi,” ka thënë ai.
Në planin e brendshëm, Kurti njoftoi një rritje të konsiderueshme të investimeve në mbrojtje, duke parashikuar një buxhet prej një miliard eurosh për këtë sektor. “Do të krijojmë baza industriale, ndër të tjera me një fabrikë municioni në Gjakovë,” deklaroi ai.
Lidhur me modelin e organizimit të forcave të armatosura, kryeministri tha se Kosova po orientohet drejt përvojës së vendeve nordike dhe baltike. “Në organizimin e forcave tona të armatosura orientohemi më shumë nga modelet e Suedisë dhe shteteve baltike, veçanërisht në konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse. Pozita e tyre është e qartë: Kur ke një fqinj të madh, duhet të mendosh ndryshe. Ne nuk mund të përballemi me kaos përballë një kërcënimi. Na duhet rend i qartë. Çdo qytetar dhe qytetare duhet të dijë saktësisht se çfarë roli merr në rast katastrofe apo lufte.” Ai përmendi gjithashtu modelin e Polonisë për “trajnime të përgjithshme sigurie për të gjithë, veçanërisht për t’i trajnuar të rinjtë.”
Në aspektin strategjik, Kurti e përkufizoi qartë orientimin gjeopolitik të Kosovës. “Ne duam të bëhemi anëtar të NATO-s. NATO aktualisht ndodhet në një fazë riorganizimi dhe ne duam pos të përfitojmë edhe të kontribuojmë. Po krijojmë një forcë rezervë vullnetare, kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, trefishuar shpenzimet për mbrojtje dhe katërfishuar trajnimin e oficerëve tanë në kuadër të NATO-s. Kosova duhet dhe do të jetë në gjendje të mbrohet vetë. Ne nuk e shohim veten si forcë e izoluar, por si pjesë e NATO-s. Prandaj po sigurojmë pajisje ushtarake nga shtetet e NATO-s – nga armët antitank deri te dronët dhe artileria mobile. Ushtria jonë po merr kapacitete moderne në këto fusha. Ne nuk balancohemi mes Lindjes dhe Perëndimit. Ne jemi qartësisht të përkushtuar ndaj vlerave të demokracisë perëndimore. Duam të hyjmë në BE dhe NATO.”
Kurti konfirmoi se Kosova ka blerë nga Turqia dronë Bayraktar TB2 dhe sisteme të tjera ushtarake, duke theksuar se ndaj Rusisë ka mbajtur “gjithmonë një distancë të shëndetshme.”
Në raport me Serbinë, ai deklaroi se Beogradi nuk ka më rol bllokues në proceset integruese të rajonit. “Serbia nuk ka më ‘fuqi vetoje’ mbi rajonin,” tha Kurti.
Ai kritikoi gjithashtu qasjen e deritanishme të Bashkimit Evropian ndaj zgjerimit. “Unë angazhohem për një politikë të vullnetit, jo të pranimit. Deri tash, Brukseli është përqendruar shumë te kush mund të pranohet – më pak te ajo se kush dëshiron të anëtarësohet. Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, pesë duan të futen në BE – me përjashtim të Serbisë. Vendimtare është: Kush dëshiron të anëtarësohet, të mbështetet. Kosova është duke iu përgjigjur me disiplinë pyetësorit të Komisionit Evropian – janë mijëra pyetje. Ky proces integrimi forcon veçanërisht drejtësinë dhe administratën,” deklaroi ai.
Sipas Kurtit, në kushtet e kërcënimit rus ndaj Evropës, BE-ja nuk e ka më luksin e bllokimeve nga shtetet skeptike.
Duke iu referuar fitores së tij në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ai theksoi përgjegjësinë që i jep ky mandat. “Gjithmonë kam pasur një qëllim. Sot jam kryeministër me një qëllim,” u shpreh Kurti, duke shtuar se fokusi do të jetë siguria dhe mbrojtja, por edhe zhvillimi ekonomik.
Në këtë kuadër, ai përmendi ndërtimin e një stadiumi kombëtar me 8000 ulëse, investimet në energji dhe infrastrukturë hekurudhore. “Po zhvillojmë studim fizibiliteti për një lidhje me gaz me Evropën. Disponojmë rezerva të mëdha të qymyrit, të cilat mbajnë ngarkesën bazë të prodhimit të energjisë. Por, afatgjatë duam të dalim nga qymyri. Gazifikimi është vetëm një zgjidhje kalimtare. Paralelisht po investojmë në energji të ripërtritshme. Përveç kësaj duam edhe të ndërtojmë linja hekurudhore. Hekurudhat janë të gjelbra dhe sigurta. Duam të krijojmë një lidhje hekurudhore mes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe kryeqytetit Prishtinës.”
Sipas tij, zhvillimi i infrastrukturës hekurudhore do ta lidhë Kosovën më fort me rajonin dhe Evropën. “Nëse shihni hartën hekurudhore të Evropës, sheh se Kosova në hapësirën e Ballkanit është strukturalisht e lënë anash. Të ashtuquajturit korridoret 8 dhe 10 kalojnë pranë vendit tonë. Por, lidhja veri-jug në Ballkanin Perëndimor, linja hekurudhore 10, mund të na lidhë – veçanërisht në drejtim të Greqisë. Duam të investojmë në mënyrë të synuar.”
Në fund, duke komentuar procesin e zgjedhjes së presidentit që kërkon dy të tretat e votave në Kuvend, Kurti tha se nevojitet dialog politik. “Gjithmonë kam pasur një qëllim. Sot jam kryeministër me një qëllim,” përsëriti ai, duke shtuar se në jetën e tij “kurrë s’ka qenë rebel pa kauza.”
