Në kërkim ndërkombëtar për vrasje, dy kushërinj ekstradohen drejt Italisë
Niko dhe Afrim Sina janë ekstraduar sot nga Shqipëria drejt Italisë. Dy kushërinjtë ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale të vrasjes.
Ata ishin në listën e 100 personave më të kërkuar në Itali dhe tani do të ekstradohen drejt shtetit fqinj. Kushërinjtë akuzohen se më 22 shtator 1999, vranë me sende të forta dhe mjete prerëse një shtetas shqiptar dhe plagosën rëndë një tjetër. Ngjarja ka ndodhur në Komunën Griciniano d’Aversa, për arsye të lidhura me ndarjen e të ardhurave nga aktivitete të paligjshme.
Andon (alias Afrim) Sina dhe Niko (alias Faslli) Sina janë dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Napolit në Itali, në vitin 2006, me nga 14 vjet e 11 muaj burgim secili, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasja e mbetur në tentativë”.
