“`html
Kushner ndryshon prioritete? Investimi fokusohet më shumë te Zvërneci, Sazani në plan të dytë
Dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, ka mbërritur sot në Vlorë, duke ringjallur interesin për projektet investuese në jug të Shqipërisë. Ai u shoqërua nga një delegacion i ngushtë dhe u vendos nën masa të rrepta sigurie.
Kushner ndaloi në zonën e Ujit të Ftohtë për takime teknike dhe konsultime profesionale, kryesisht me përfaqësues të një studioje arkitekturore ndërkombëtare. Sipas burimeve, këto takime nuk kanë qenë me përfaqësues të pushtetit qendror apo vendor, duke sugjeruar se vizita është ende në fazë konceptuale dhe jo vendimmarrjeje politike.
Zyrtarisht, projekti në fokus vazhdon të jetë ai i investimit në ishullin e Sazanit, një aset strategjik dhe historik i vendit, i destinuar për zhvillime turistike elitarë. Diskutimet janë përqendruar te mënyrat e realizimit të projektit, koncepti arkitektonik dhe fizibiliteti ekonomik, duke marrë parasysh kostot e larta infrastrukturore dhe ndërhyrjet komplekse që kërkohen.
Megjithatë, burime të informuara nga procesi bëjnë të ditur se interesi real i Jared Kushner nuk kufizohet vetëm te Sazani. Vëmendja kryesore duket se është zhvendosur drejt investimit në Zvërnec, i cili konsiderohet nga investitorët si më pak i kushtueshëm, më i aksesueshëm dhe më rentabël në krahasim me Sazanin. Zvërneci ofron avantazhe të qarta logjistike dhe infrastrukturore, duke ulur ndjeshëm kostot fillestare dhe rreziqet e zhvillimit.
Vizita e Kushner në Vlorë, megjithëse u mbajt larg publikut dhe pa deklarata zyrtare, ka ngjallur diskutime për marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe administratës Trump, të cilat kohët e fundit nuk kanë qenë në kulmin e tyre.
Gjatë ditës, kryeministri Rama zhvilloi një mbledhje qeverie online me ministrat, për të mundur të qëndronte në Vlorë pranë dhëndrit të Trump. Sipas burimeve të Lapsi.al, mbledhja u mbyll në mesditë dhe ishte më shumë një formalitet, pasi gjithë fokusi ishte te krijimi i një ambienti sa më relaksues dhe mikpritës për të.
Ky projekt përfaqëson një nga investimet më të mëdha të financuara nga firma e Kushnerit, Affinity Partners, të cilën ai e themeloi pas largimit nga administrata Trump, duke siguruar një financim fillestar prej 2 miliardë dollarësh nga Fondi Sovran i Arabisë Saudite. Mediat ndërkombëtare kanë ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që po përdor Kushner për projekte të ngjashme në botë, duke shfrytëzuar lidhjen familjare me ish-presidentin amerikan.
“`
