Adriatik Lapaj ka shpalosur kushtet për një bashkëpunim me forcat opozitare, duke theksuar se çdo angazhim duhet t’i shërbejë interesit të vendit dhe jo pazareve politike.
Në një deklaratë live nga Kryeministria për A2 CNN, Lapaj u shpreh se forca që ai drejton është e gatshme të bashkëpunojë, por vetëm nëse plotësohen disa kushte thelbësore. Ai nënvizoi nevojën për një protestë të pandërprerë, 24 orë në ditë, deri në arritjen e një zgjidhjeje politike.
Më tej, Lapaj propozoi krijimin e një komiteti qytetar për qeverinë tranzitore. Kjo qeveri, sipas tij, duhet të ketë një mandat 12-mujor dhe të përbëhet nga profesionistë të nivelit më të lartë, me qëllim përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Një kusht tjetër thelbësor është zhvillimi i tryezave politike në shesh, pa praninë e kryetarëve të partive, por si një forum i hapur për të gjithë qytetarët.
Lapaj kërkoi gjithashtu dakordësim për një draft të ri të kodit zgjedhor. Ai propozoi një sistem proporcional kombëtar, me lista të hapura, një zonë zgjedhore dhe 140 deputetë, duke marrë Kosovën si model. Ky draft, sipas tij, duhet t’i paraqitet faktorit ndërkombëtar dhe t’i imponohet si detyrim Partisë Socialiste.
Duke shprehur mosbesim ndaj reformave të përbashkëta mes socialistëve dhe Partisë Demokratike, siç ishte marrëveshja e korrikut 2024, Lapaj tha se barra e provës i takon opozitës. Ai theksoi se opozita duhet të tregojë seriozitetin e saj në përballjen me kryeministrin Edi Rama.
Sipas tij, vetëm një mobilizim total i opozitës dhe qytetarëve në shesh mund të çojë në rrëzimin e qeverisë dhe hapjen e rrugës për ndryshim politik në vend.
