Kryeministri Edi Rama ka vendosur një kusht të qartë për kryetarët e bashkive që dëshirojnë të rikandidojnë: realizimi i 1 mijë investimeve në të gjithë vendin përmes “Paketës së Maleve”. Nëse ky objektiv nuk arrihet, ata nuk do të kenë mundësinë të kandidojnë sërish.
Deklarata u bë gjatë një mbledhjeje me kryebashkiakët, një ditë pas takimit me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku Rama paralajmëroi edhe ndryshime kushtetuese brenda këtij mandati.
“Nuk mund të rrini duke pritur vetëm nga buxheti i shtetit, duhet të kaloni në një fazë tjetër, sidomos disa bashki që i kanë të gjitha mundësitë,” u shpreh Rama. Ai theksoi se faza e parë e “Paketës së Maleve” nuk ka përfunduar ende në disa bashki, pavarësisht interesit të lartë nga shqiptarët jashtë vendit.
“Ambicia është 1 mijë investime nga kjo paketë. Nuk do të ketë asnjë rikandidim nëse nuk do jetë arritur targeti i këtij projekti,” deklaroi ai.
Rama theksoi se edhe investimet më modeste, prej 50 mijë eurosh, kanë ndikim të madh në ekonominë vendore dhe duhet të trajtohen me seriozitet maksimal.
Kryeministri kërkoi gjithashtu nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të jetë në dispozicion të bashkive për hartat dhe nga ministri Demo të vendosë targetin për secilën bashki. Ai njoftoi gjithashtu krijimin e një agjencie të re për të rritur cilësinë e planifikimit dhe projektimit, si dhe për të siguruar një kanal më të shpejtë ndërveprimi midis qeverisë dhe bashkive.
