Kuvajti nënshkruan marrëveshje prej 4.1 miliardë dollarësh me Kinën për ndërtimin e një porti
Kuvajti ka nënshkruar një marrëveshje me vlerë 4.1 miliardë dollarë me Kinën për të finalizuar ndërtimin e një porti të madh. Ky veprim synon të diversifikojë ekonominë e vendit të pasur me naftë dhe të rrisë rolin e tij në tregtinë globale.
Byroja Shtetërore e Auditimit, një organ mbikëqyrës qeveritar përgjegjës për monitorimin e fondeve publike, njoftoi të hënën se kontrata për inxhinierinë, prokurimin dhe ndërtimin e Portit Mubarak al-Kabeer do të kushtojë 1.28 miliardë dinarë kuvajtianë, që përkthehen në rreth 4.164 miliardë dollarë.
Kryeministri Sheikh Ahmad al-Abdullah al-Ahmad al-Sabah mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e Portit Mubarak Al-Kabeer në ishullin Boubyan, sipas raportimeve të mediave shtetërore. Ai theksoi se ky projekt kyç do të kontribuojë në rritjen e pjesëmarrjes së Kuvajtit në tregtinë rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe në zinxhirin global të furnizimit.
I ngarkuari me punë në detyrë i Kinës, Liu Xiang, deklaroi se marrëveshja “përbën pjesëmarrje në nismën ‘Një brez, një rrugë’”.
Në vitin 2023, Kuvajti nënshkroi shtatë memorandume mirëkuptimi me Kinën për projekte të ndryshme, duke përfshirë Portin Mubarak al-Kabeer, si dhe për sektorët e strehimit, trajtimit të ujit dhe energjisë së rinovueshme.
Kina ka treguar një fokus të shtuar ndaj Lindjes së Mesme si pjesë e Iniciativës së saj “Një Brez, një Rrugë”, një projekt gjithëpërfshirës global për infrastrukturën, i zhvilluar gjatë dekadës së fundit nën drejtimin e Presidentit Xi Jinping.
