Kuvendi hap garën për Avokatin e Popullit pas 3 vitesh

Komisioni i Ligjeve ka shpallur vakancën për postin e Avokatit të Popullit, duke ftuar kandidatët të shprehin interesin e tyre brenda një periudhe 20 ditore.

Argumenti kryesor i dhënë nga kryetari i komisionit, Ulsi Manja, është se procesi i mëparshëm ka dështuar për shkak të legjislaturës së re parlamentare dhe mungesës së mbështetjes nga deputetët aktualë për kandidatët e mëparshëm.

Nënkryetari i komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, ka kundërshtuar rihapjen e procesit, duke akuzuar mazhorancën për krijimin e kësaj situate, si një praktikë të përdorur edhe për institucione të tjera të pavarura. Ai ka vënë në dukje se ka pasur kandidatë që nuk janë votuar kurrë dhe procedura nuk është finalizuar.

Bylykbashi ka kërkuar që procesi të ruajë traditën politike të mëparshme, ku opozita të ketë rolin propozues të kandidatit.

Ndërkohë, mazhoranca socialiste ka njoftuar se është e gatshme të zgjedhë vetë avokatin e ri, duke zëvendësuar Erinda Ballancën, e cila aktualisht mban detyrën pavarësisht skadimit të mandatit.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka shprehur gatishmërinë që deri në Krishtlindje të zgjidhet avokati i ri, duke bërë thirrje për një proces të përbashkët me opozitën. Ai ka fajësuar opozitën për dështimin e votimeve të mëparshme dhe ka theksuar se nuk ka më të drejtën ta “mbajë peng” zgjedhjen e Avokatit të Popullit për 3 vjet.

Balla ka paralajmëruar se nëse opozita nuk merr pjesë, mazhoranca do të jetë e detyruar të zgjedhë vetë Avokatin e ri të Popullit.

Për votimin e një emri nevojiten 84 vota, një formulë që më parë impononte konsensus politik dhe jepte të drejtën e propozimit opozitës. Me 83 mandate, Partia Socialiste ka tani mundësinë të votojë vetë.

Gjatë 3 viteve, pavarësisht dhjetëra kandidatëve dhe procedurave të shkuara deri në seancë plenare, Kuvendi nuk ka mundur të zgjedhë një emër. Në proceset e mëparshme, mazhoranca ka rrëzuar kandidatët e opozitës, ndërsa në një rast tjetër është kërkuar shtyrja për gjetjen e konsensusit.

Sipas ligjit, kandidatët duhet të kenë mbështetjen e 28 deputetëve për të kaluar në votim në Kuvend, ku zgjidhen me 3/5 e anëtarëve.

Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individëve nga veprimet e administratës publike. Kreu i këtij institucioni zgjidhet për një periudhë 5-vjeçare, me mundësi rizgjedhjeje.

Leave a Comment

Scroll to Top