“`html
Kuvendi i Kosovës Konstituohet; Albulena Haxhiu Zgjidhet Kryetare, Albin Kurti Emërohet Mandatar për Formimin e Qeverisë
Kuvendi i Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor, është konstituuar zyrtarisht. Albulena Haxhiu, përfaqësuese e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë fituese të zgjedhjeve, është zgjedhur kryetare e Kuvendit. Gjatë seancës, u betuan deputetët e rinj dhe u votuan pesë nënkryetarë nga përfaqësues të partive politike.
Albulena Haxhiu mori 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 deputetë abstenuan. Nënkryetarë u zgjodhën: Ardian Gola (Lëvizja Vetëvendosje), Vlora Çitaku (Partia Demokratike e Kosovës), Kujtim Shala (Lidhja Demokratike e Kosovës), Emilja Rexhepi (nga grupi multietnik) dhe Sllavko Simiq (Lista Serbe). Pesë nënkryetarët u votuan me 104 vota pro, 3 kundër dhe 6 abstenime.
Në fjalën e saj të parë si kryeparlamentare, Haxhiu theksoi përkushtimin e saj për të kthyer besimin e marrë me punë të përditshme, transparencë dhe angazhim të plotë. Ajo deklaroi:
“Sot e marr këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshën kushtetuese që ajo mban. Këtë besim do ta nderoj me punë të përditshme, transparencë dhe përkushtim të plotë. Detyra ime do të jetë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjellë, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat parlamentare.”
Haxhiu gjithashtu u shpreh lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, duke theksuar drejtësinë e luftës çlirimtare dhe duke vënë në dukje përgjegjësinë e Serbisë për krime. Ajo shtoi:
“Ne sot debatojmë lirshëm në këtë sallë falë sakrificës së madhe të popullit tonë për liri, përfshirë luftën çlirimtare të UÇK-së. Sot këtu vijmë pasi tërë ditës kishim seancën ndaj ish-krerëve të UCK-së. Historia e popullit të Kosovës është e qartë dhe e drejtë. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim, dihet kush ka qenë agresori, kush ka bërë krime. Ato krime janë kryer nga Serbia që kurrë nuk u përball me drejtësinë në mënyrë serioze, përkundrazi kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet dhe u amnistuan. Presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë në vend, dhe që këto orvatje të Prokurorisë të marrin fund sa më parë.”
Pas shpalljes së konstituimit të institucionit ligjvënës, kryetarja Haxhiu paralajmëroi një seancë tjetër për votimin e qeverisë së re.
Në legjislaturën e kaluar, Albulena Haxhiu ishte propozuar për kryetare të Kuvendit nga Vetëvendosje, por nuk kishte marrë votat e nevojshme. Vonesa në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas të nënkryetarit serb kishte shkaktuar një ngërç politik disa mujor, duke çuar në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 28 dhjetor, ku Vetëvendosje fitoi bindshëm.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albin Kurtin si mandatar për formimin e Qeverisë së Kosovës. Ky subjekt politik ka dorëzuar zyrtarisht propozimin pranë Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani. Arbërie Nagavci, Kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka shpërndarë në rrjetet sociale dokumentin zyrtar, duke shkruar:
“E nderuar që, në cilësinë time si Kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, t’i dorëzoj Presidentes së Republikës së Kosovës propozimin për caktimin e z. Albin Kurti si Mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.”
Pritet të mbahet një seancë tjetër për formimin e qeverisë, ndërsa nuk është njoftuar ende koha e fillimit të saj.
Kuvendi i Kosovës konsiderohet i konstituar pas zgjedhjes së Albulena Haxhiut si kryetare të legjislaturës së dhjetë dhe votimit të pesë nënkryetarëve: Ardian Gola (LVV), Vlora Çitaku (PDK), Kujtim Shala (LDK), Sllavko Simiq (Lista Serbe) dhe Emilja Rexhepi (grupi multietnik).
“`
