Kuvendi: Raportime drejtësie dhe reforma zgjedhore sot

Kuvend/ Altin Dumani, Olsian Çela dhe Artur Metani raportojnë sot para deputetëve

Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00 për seancën e radhës plenare, e cila pritet të jetë maratonë për shkak të raportimit të institucioneve të drejtësisë.

Fillimisht është parashikuar ngritja e Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale. Për këto komisione, maxhoranca dhe opozita kanë arritur dakordësi për barazinë mes anëtarëve, bashkëkryetarëve dhe marrjen e ekspertizës ndërkombëtare, aty ku do të jetë e nevojshme.

Më pas, në rend dite është raportimi i kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024.

Në vijim, pritet që të raportojë Altin Dumani për veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme që ai drejton. Pas tij, Artur Metani do të raportojë për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë (ILD), si dhe do të paraqiten raportet e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

I pranishëm nuk do të jetë Gazment Bardhi, pasi u përjashtua për dy javë për shkak të përplasjes në seancën e kaluar me kreun e Kuvendit, Niko Peleshi.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së i ka dërguar gjithashtu një shkresë Peleshit, ku i kërkonte të shmangë të gjitha provokimet ndaj deputetëve.

“Çdo ndryshim i njëanshëm nga Kuvendi i të drejtave të deputetëve të pakicës, apo interpretimi 34-vjeçar i Rregullores së Kuvendit, është atentat ndaj parlamentarizimit dhe asgjësim i të drejtave të opozitës parlamentare, dhe për pasojë është dhe do të jetë i papranueshëm për deputetët e opozitës”, thuhet në letrën e grupit të PD.

Scroll to Top