Kuvendi refuzon kërkesën e SPAK, Rama kundër “përpjekjeve të shëmtuara”

Kuvendi nuk hoqi imunitetin, Rama: Kërkesa e SPAK nuk plotësonte kushtet minimale

Kryeministri Edi Rama, duke filluar konferencën për media, iu referua çështjes Balluku dhe vendimit të djeshëm të Kuvendit, ku Partia Socialiste nuk dha autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut, sipas kërkesës së SPAK. Ai deklaroi se kërkesa e Prokurorisë nuk plotësonte asnjë nga kushtet minimale për t’u marrë në konsideratë.

“Janë disa çështje që meritojnë të adresohen dhe që janë të lidhura me interesin publik, duke nisur nga projekti strategjik i Portit të ri tregtar dhe ushtarak të Shqipërisë dhe duke vijuar me impaktin e luftës kundër regjimit kriminal në çmimin e naftës, por gjëja që vjen si rrjedhojë është edhe çmimi i ushqimeve. Këto ishin të parashikuara për sot. Por do ta nis nga vendimi i djeshëm i parlamentit, ju e keni ndjekur të gjithë rrjedhën e ditës, besoj edhe prononcimin tim që dua ta përsëris, lidhet drejtpërdrejt me të vërtetën që kërkesa e Prokurorisë nuk i përmbushte kushtet minimale për t’u marrë në konsideratë.”

Rama shtoi se përpjekja për të lidhur refuzimin me arsye të tjera, ose për t’i dhënë përmasën e një fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, apo do të pengojë zbatimin e reformës në Drejtësi, apo aktivitetin e pavarur të saj, është një “përpjekje e shëmtuar”.

“Në dëshpërimin e vet ka të gjithë ato ingredientë që në të përditshmen tonë është përpjekja për të bërë çmos që Shqipëria të pengohet. Nuk ka asgjë të re, por materiali në këtë rast është i favorshëm për të torolisur njerëzit dhe për të fryrë daullen e luftës kundër qeverisë dhe shumicës së kësaj qeverie. Nuk ka asnjë frenim në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE,” përfundoi ai.

Scroll to Top