Kuvendi: Nga kërkesa për shkarkimin e Niko Peleshit te raportimi i institucioneve
Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën e dytë plenare për këtë javë. Seanca e hënë ishte fokusuar në prezantimin e raporteve të institucioneve të drejtësisë dhe miratimin e ngritjes së Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale.
Në qendër të rendit të ditës së kësaj seance është kërkesa e deputetëve të Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Opozita akuzon atë për shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit. Debati për këtë çështje pritet të nisë në orën 10:00 dhe parashikohet të shoqërohet me diskutime të ashpra në sallën plenare.
Në vijim të seancës plenare të sotme, në orën 11:30 pritet të nisë raportimi i disa institucioneve të pavarura para Kuvendit. E para që do të marrë fjalën është kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, e cila nuk arriti të raportonte në seancën e kaluar. Më pas, Kuvendi do të shqyrtojë raportin vjetor për vitin 2024 të Avokates së Popullit, Erinda Ballanca.
Gjithashtu, në rendin e ditës janë parashikuar edhe prezantimet dhe raportimet nga:
- Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil
- Radio Televizioni Shqiptar (RTSH)
- Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA)
- Instituti i Statistikave (INSTAT)
