Kuvendi Shqipërisë: Tension, Protestë dhe Snajperë para Seancës

Snajperistë të vendosur në tarraca pranë Kuvendit të Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare, ku në rendin e ditës është shqyrtimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Kjo çështje pritet të shoqërohet me debate dhe tensione politike në sallën e Parlamentit. Sipas axhendës, pika do të trajtohet e para menjëherë pas nisjes së seancës.

Fillimisht do të mbajë fjalën vetë Balluku, ndërsa më pas do të paraqiten dy raportet e përgatitura nga përfaqësuesit e opozitës dhe të shumicës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Pas prezantimit të raporteve, deputetët e opozitës dhe të mazhorancës do të shprehin qëndrimet e tyre përpara se çështja të hidhet në votim.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka paralajmëruar protestë para godinës së Kuvendit në të njëjtën orë me zhvillimin e seancës plenare.

Pak para nisjes së saj, forcat speciale janë vendosur në gatishmëri për çdo ndërhyrje të mundshme. Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara sigurie, duke rrethuar zonën përreth Parlamentit me gardhe metalike dhe duke vendosur kufizime në qarkullimin e automjeteve në këtë perimetër.

Ashtu si në protestat e mëparshme, në tarracën e Kuvendit dhe në disa nga godinat përreth janë vendosur snajperistë, të cilët monitorojnë situatën nga lart.

Scroll to Top