Kyle Walker lë Anglinë, lamtumirë Kombëtares

Shqipëria “vuri vulën”: Shoku i skuadrës i Brojës i jep fund aventurës me Kombëtaren. Ka ardhur koha e brezit të ri.

Kajl Uoker ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij me ekipin përfaqësues të Anglisë. Ky vendim u bë publik tre muaj para fillimit të Kupës së Botës, turne ku nuk pritej të kishte rol protagonist me “tre luanët”. Mbrojtësi i djathtë nuk ishte më në preferencat e trajnerit Tomas Tuhel, duke bërë që shanset për t’u grumbulluar të ishin minimale.

Futbollisti 35-vjeçar, i cili aktualisht aktivizohet me Burnelin në Premier Ligë, ka vendosur të largohet nga Kombëtarja, me të cilën ka luajtur 96 ndeshje. Ndeshja e tij e fundit ishte ajo kundër Shqipërisë në marsin e vitit të kaluar, e cila përfundoi me fitoren e Anglisë 2-0.

Në një komunikatë rreth vendimit të tij, Uoker u shpreh: “Të luash për Anglinë ka qenë gjithmonë nderi më i madh i karrierës sime. Sa herë që vishja fanellën, kjo do të thoshte shumë për mua dhe familjen time. Pas shumë mendimesh, ndjej se ky është momenti i duhur për t’u larguar dhe për t’i lënë vendin brezit të ardhshëm të lojtarëve. Largohem jashtëzakonisht krenar për këtë rrugëtim dhe mirënjohës për çdo trajner, shok skuadre dhe tifoz që ka qenë pjesë e tij. Të përfaqësosh vendin tënd është gjëja më e madhe që mund të bësh në futboll dhe ato kujtime me Anglinë do të mbesin me mua përgjithmonë.”

Burimi: PANORAMASPORT.AL

Scroll to Top