Pas tërmetit, lagjja e re në Ishëm strehon vetëm një familje
Sapo i kalon fshati Lalëz, pranë qendrës së njësisë së Ishmit, shfaqet një lagje e re, e ndërtuar kohët e fundit. 49 banesat njëkatëshe, me arkitekturë të njëjtë dhe të vendosura në distancë nga njëra-tjetra, janë ngritur pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019.
Aktualisht, në këtë qytezë të vogël jeton vetëm një familje: ajo e Agim Muharremit, një mësues letërsie në pension, bashkë me familjen e ngushtë të të birit. “Shtëpia ku banoja nuk u rindërtua pas tërmetit dhe, në kushtet e vështira ku ndodheshim, nuk mund të prisja më,” tha Agim Muharremi për BIRN.
Në lagjen e re, e cila ende nuk është populluar, mungon energjia elektrike dhe sistemi i kanalizimeve. Megjithatë, familjet me shtëpi të dëmtuara rëndë në fshatrat përreth hezitojnë ta populllojnë atë. Agimi tregon se banesa e tij është ndërtuar mirë, ndërsa në shtëpitë e tjera pranë tij kanë filluar të shfaqen shenja lagështire, “si në të gjitha shtëpitë e pabanuara,” shton ai.
Kadri Gjyli, ish-drejtues i njësisë administrative të Ishmit gjatë periudhës së rindërtimit, deklaroi për BIRN se lagjja e re në Lalëz është financuar nga një shoqatë shqiptaro-amerikane. “Së shpejti do të organizohet tenderi për të realizuar gjithçka që mungon aktualisht, duke filluar nga sistemi i kanalizimeve dhe i energjisë elektrike, e deri te ndërtimi i qendrës shëndetësore,” tha Gjyli.
Ai shtoi se, së bashku me banorët që pritet të vendosen në lagjen e re në Lalëz, 22 familje të tjera nga Ishmi do të sistemohen në pallatet e ngritura në Porto Romano të Durrësit, ndërsa disa të tjera në Manëz. Gjyli thekson se janë kryer punime të mira edhe për rindërtimin e shkollave dhe qendrave shëndetësore. “Dy shkolla në fshatra funksionojnë normalisht, ndërsa e njëjta gjë pritet edhe për shkollën e mesme në qendër,” theksoi ai.
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 preku rëndë 9 fshatrat e njësisë administrative të Ishmit, të cilat ishin pranë epiqendrës së tërmetit. Programi i rindërtimit parashikoi ndërtimin e 330 shtëpive të reja në të gjithë territorin e njësisë. Shumica janë ngritur në oborret e shtëpive ekzistuese, ndërsa janë hasur vështirësi në rastet e banesave të largëta nga rrugët ose atyre 3-4 katëshe që kërkonin përforcim, sqaroi ish-administratori Gjyli.
“270 familje janë sistemuar në shtëpi të reja, duke i mobiluar ato me shpenzimet e tyre ose me ndihmën e shoqatave bamirëse,” tha për BIRN kryetari i shoqatës “Ishmi”, Isuf Shehu. Ai shtoi se familjet ishmake të transferuara prej kohësh në Durrës apo Tiranë kontribuuan që në ditët e para pas tërmetit. “Anëtarët e shoqatës ‘Ishmi’, shumë prej të cilëve banorë të zonës, bashkëpunuan me pushtetin vendor dhe me fondacionet humanitare,” vijoi Isufi. Sipas tij, ishmakët që kanë migruar në vende të ndryshme të botës ofruan mbështetje të madhe për familjet e tyre.
“Gjysmën e shpenzimeve për punimet brenda shtëpisë së re i hoqi im bir, që jeton në Francë,” tha Qaniu, banor në Bizë.
Genc Shehi, pedagog në një nga universitetet e vendit, vizitoi Ishmin për herë të parë pak ditë pas tërmetit. Si misionar jo vetëm shpirtëror, Genci vazhdon të vizitojë fshatrat rreth 30 km në veri të Durrësit. “Këto ditë shkuam për të tërhequr një konteiner që për pesë vite radhazi shërbeu si banesë për një familje në Gjuricaj,” tha Genci për BIRN, duke shpjeguar se konteineri tani do të ndihmojë një familje me probleme në Xhafzotaj. “Zoti me një dorë të jep, e me tjetrën të pret,” shtoi ai, duke kujtuar ditët e vështira të mbijetesës së familjeve ishmake menjëherë pas tërmetit.
Familja e Agimit, e vetmja e vendosur në banesat e Lalzit, ka një shqetësim tjetër. “Jo vetëm unë, por edhe bashkëfshatarët e mi e kanë këtë shqetësim,” thekson ai. “Trualli i lagjes së re në Lalëz është argjilor dhe në të ardhmen mund të rrëshqasë, duke përfunduar me gjithë shtëpitë poshtë në liqen,” përfundon ish-mësuesi.
