Lajçak jep dorëheqje pas dosjes Epstein

Lajçak jep dorëheqjen si këshilltar i kryeministrit sllovak pas publikimit të emrit të tij në dosjen e Epstein.

Miroslav Lajçak, ish-ministër i Jashtëm sllovak dhe ish-emisar për dialogun Kosovë-Serbi, ka njoftuar se po jep dorëheqjen nga pozicioni i tij si këshilltar i Kryeministrit sllovak Robert Fico. Kjo dorëheqje vjen pas publikimit të komunikimeve të tij me abuzuesin seksual të dënuar, Jeffrey Epstein, siç raportojnë mediat sllovake.

Lajçak ka dënuar krimet e kryera nga Jeffrey Epstein dhe ka deklaruar se nëse do të kishte qenë i vetëdijshëm për shkallën e plotë të veprimeve të Epstein në të kaluarën, nuk do të kishte pasur asnjë komunikim me të.

Kryeministri Fico ka njoftuar se do ta pranojë dorëheqjen e Lajçakut.

“Miro e ka dëshmuar edhe një herë veten si një diplomat i shkëlqyer dhe unë e pranoj ofertën e tij për t’i dhënë fund bashkëpunimit tonë. Megjithëse të gjithë ne, jo vetëm unë, po humbasim një burim të jashtëzakonshëm përvoje në diplomaci dhe politikë të jashtme”, ka thënë Fico. Ai shtoi: “Është e çuditshme që një simbiozë e ngjashme e medias, opozitës dhe partive qeveritare nuk e shënjestroi liderin e opozitës Simecek, i cili, përmes mashtrimit me grante në nivelin e Sllovakisë dhe BE-së, përfaqëson një rrezik shumë më të madh për reputacionin e vendit tonë sesa këshilltari i kryeministrit, Miroslav Lajçak”.

Scroll to Top