Pezullimi i Ballukut, Ministri i Drejtësisë: Gjykata tejkaloi kompetencat!
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, u pyet lidhur me qëndrimin e mazhorancës sa i përket imunitetit të Belinda Ballukut. Ai deklaroi se qëndrimi i mazhorancës është i qartë në këtë rast.
Sipas ministrit të Drejtësisë, Gjykata e Posaçme ka tejkaluar kompetencat e saj.
Pyetje: Cili është qëndrimi që mazhoranca do të mbajë për imunitetin e Ballukut?
Lamallari: Besoj që qëndrimi i mazhorancës ka qenë i qartë. Kryeministri ka ushtruar të drejtën e tij për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Argumentet janë paraqitur aty, ku në thelb qëndron pretendimi i një pushteti, konkretisht ekzekutivi, për tejkalim të pushtetit të një pushteti tjetër, pra pushteti gjyqësor.
Këtu kemi të bëjmë edhe me pushtetin legjislativ, i cili konfirmon mandatin e ministrave, përfshirë edhe mua. Kushtetuta e thotë qartë që ministrat gëzojnë imunitetin e deputetëve.
