Lantona Sado emërohet Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT
Instituti i Statistikave (INSTAT) ka njoftuar se znj. Lantona Sado është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i këtij instituti, me efekt nga data 07 janar 2026.
Znj. Lantona Sado ka një përvojë prej mbi 20 vitesh në fushën e statistikave zyrtare. Ajo ka filluar karrierën e saj pranë INSTAT, ku ka punuar fillimisht si specialiste dhe më pas si përgjegjëse njësie për projekte statistikore kombëtare dhe ndërkombëtare. Kontributi i saj ka qenë i drejtpërdrejtë në realizimin e studimeve të rëndësishme sociale, duke përfshirë HBS, DHS, MICS dhe LSMS.
Pas përfundimit të studimeve doktorale pranë Universitetit Sapienza të Romës, znj. Sado ka marrë pjesë në disa projekte ndërkombëtare si menaxhere dhe eksperte teknike. Kjo periudhë i ka sjellë asaj gjithashtu përvojë në fushat e menaxhimit administrativ dhe financiar.
Ajo disponon njohuri të thella mbi rregulloret, rekomandimet dhe standardet e Bashkimit Evropian që lidhen me statistikat zyrtare, si dhe njohje të mirë të rekomandimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për këtë fushë.
Pozicioni i saj i fundit ka qenë Këshilltare Rezidente Twinning për projektin e financuar nga BE-ja, të titulluar “Forcimi i Sistemit Kombëtar Statistikor të Palestinës duke e mbajtur ritmin me zhvillimet e reja”.
Nën drejtimin e saj, INSTAT do të vazhdojë përpjekjet për të përmirësuar cilësinë, rëndësinë dhe aksesueshmërinë e statistikave zyrtare në Shqipëri. Këto synime do të realizohen në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, duke kontribuar në një Sistem Statistikor Kombëtar të fortë, të pavarur dhe të besueshëm. Gjithashtu, do të forcohet bashkëpunimi me institucionet partnere, sipas njoftimit të INSTAT.
