Leao: “Pulisiç është lojtar i shkëlqyer”, zbulon marrëdhënien me Ibrahimoviçin: “Është aty për mua”
Sulmuesi i Milanit, Rafael Leao, në një intervistë për CBS, ka folur për marrëdhënien e tij me Zlatan Ibrahimoviçin dhe për bashkëlojtarin Christian Pulisiç.
Duke folur për ish-shokun e skuadrës, Leao theksoi se Ibrahimoviç ishte tepër kërkues si futbollist. Ai tregoi një rast ku pas një humbjeje në stërvitje, Zlatan i kishte thënë trajnerit se nuk do të lejonte më lojtarët e rinj të Primaverës të stërviteshin me ekipin kryesor.
“Për mua, gjithmonë ka qenë një presion pozitiv,” tha Leao. “Mund të mësosh shumë nga njerëz të tillë. Nëse të flasin, është sepse janë të interesuar për ty.”
Leao vijoi duke thënë se ende komunikon shpesh me Ibrahimoviçin dhe se kanë një marrëdhënie të mirë. “Ai më ka ndihmuar shumë. E di që nëse kam nevojë për diçka, ai do të jetë aty për mua.”
Lidhur me bashkëlojtarin aktual, Christian Pulisiç, sulmuesi portugez u shpreh:
- “Kemi një marrëdhënie të mirë, tani e njohim më mirë njëri-tjetrin, madje edhe në fushë.”
- “Të dy kemi pasur disa lëndime këtë sezon, kështu që nuk kemi luajtur shumë së bashku, por ai është një lojtar i shkëlqyer.”
- “Kur luan, gjithmonë mendon se mund të krijojë diçka.”
Burimi: PANORAMASPORT.AL
