Lefter Koka drejt lirimit nga paraburgimi për inceneratorët

Kanë kaluar afatet e paraburgimit, Lefter Koka drejt lirimit nga qelia

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka depozituar një kërkesë pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë (GJKKO) për lirimin e menjëhershëm dhe shuarjen e masës së sigurisë. Ai pretendon se ka kaluar afati tre-vjeçar i paraburgimit për çështjen e inceneratorit të Fierit.

Lidhur me këtë kërkesë të paraqitur nga mbrojtësit e Kokës, bazuar në nenin 263, pikën 6/C të Kodit të Procedurës Penale, GJKKO ka shtyrë vendimmarrjen për në datën 24 tetor.

Në korrik të këtij viti, Koka fitoi të drejtën e lirimit me kusht nga Gjykata e Durrësit për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, ku u dënua me 6 vite e 8 muaj burg, pas gjykimit të shkurtuar. Vendimi i gjyqtarit të Durrësit, Xhevdet Lika, përcaktonte se për pjesën e mbetur të dënimit, Koka duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepra të tjera penale.

Megjithatë, Koka është dënuar edhe për dy dosje të tjera të inceneratorëve:

  • Për inceneratorin e Fierit, çështja është kthyer për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit nga Gjykata e Lartë. Në Shkallën e Parë të GJKKO, Lefter Koka u dënua me 6.8 vite burg.
  • Për inceneratorin e Tiranës, vendimi nuk ka marrë formë të prerë. Koka pretendoi se ka ezauruar dënimin për këtë çështje, duke marrë parasysh kohën e qëndrimit në paraburgim, referuar nenit 261, pikës 1/C të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon shuarjen e masës së sigurisë. Për këtë çështje, ai u dënua me 2 vite burg me gjykim të shkurtuar.
Scroll to Top