Lehtësim Doganor: 14 Institucione në Një Sportel

Nis Projekti i Lehtësimit Doganor: 14 Dokumente në Një Sportel

Ka filluar zbatimi i kontratës për Sistemin Dritarja e Vetme Kombëtare (NSW – National Single Window), një iniciativë e rëndësishme brenda kuadrit të Projektit “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor”, i financuar nga Banka Botërore.

Ceremonia zyrtare e hapjes së projektit u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Ky takim vjen pas nënshkrimit të kontratës së implementimit të sistemit NSW më 28 janar 2026, nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit. Nënshkrimi shënon fillimin formal të një prej reformave më të rëndësishme drejt modernizimit dhe digjitalizimit të procedurave tregtare dhe doganore në vend.

Sistemi NSW ka për qëllim modernizimin dhe unifikimin e procedurave të institucioneve shtetërore që lidhen me importet, eksportet dhe transitin. Ai do të krijojë një platformë të vetme digjitale për shkëmbimin e dokumentacionit dhe të dhënave.

Partnerë dhe përdorues të këtij sistemi do të jenë 14 institucione dhe agjenci shtetërore, të cilat janë përgjegjëse për lëshimin e licencave, certifikatave dhe autorizimeve të nevojshme për proceset tregtare ndërkufitare.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga të gjitha institucionet partnere, si dhe nga kompania kontraktore përgjegjëse për implementimin. Qëllimi kryesor ishte prezantimi i fazave kryesore të zhvillimit të sistemit, qasja e implementimit, si dhe sqarimi i roleve dhe përgjegjësive të çdo institucioni përfitues dhe përdorues.

Gjatë prezantimit, u ofrua një pasqyrë e plotë e projektit, duke përfshirë:

  • Kuadrin kontraktual dhe objektivat kryesore të sistemit NSW.
  • Metodologjitë e menaxhimit dhe zhvillimit të projektit.
  • Fazat e implementimit: nga nisja, specifikimi, zhvillimi dhe testimi, deri te pilotimi dhe vendosja përfundimtare në përdorim.
  • Modelin e qeverisjes dhe strukturën organizative të projektit.
  • Mekanizmat e komunikimit, raportimit dhe menaxhimit të riskut.

Në fund të takimit, u dakorduan hapat e menjëhershëm për fazën e nisjes së projektit, u përcaktuan përgjegjësitë ndërinstitucionale dhe u konfirmuan takimet dhe workshop-et e ardhshme që do të mbështesin procesin e implementimit.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave thekson se ky projekt strategjik pritet të kontribuojë ndjeshëm në lehtësimin e tregtisë, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj biznesit dhe operatorëve ekonomikë.

Scroll to Top