“`html
Bashkitë dhanë leje për 1.3 milionë m² për ndërtim në 2025, mister vendimet e KKT; “fshihet” Tirana
INSTAT ka raportuar të dhënat për lejet e lëshuara në vend, por informacioni mbetet i paplotë, pasi përfshin vetëm të dhënat nga bashkitë.
Ndërkohë, vazhdojnë të jenë mister lejet e lëshuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT). Ky institucion është kryesor për dhënien e lejeve për projekte të mëdha dhe ndërtesa shumëkatëshe, duke përfshirë pallate në kryeqytet dhe resortet turistike në bregdet.
Prej afro një viti, mungon informacioni mbi përmasat e lejeve të ndërtimit në vend, ndërkohë që i gjithë vendi është kthyer në një kantier ndërtimi.
Sipas INSTAT, vetëm bashkitë kanë lëshuar leje për një sipërfaqe prej 1.3 milionë metra katrorë për ndërtim në vitin 2025. Për vitin 2024, gjithsej ishin lëshuar leje për një sipërfaqe prej 2.4 milionë metra katrorë, nga të cilat 1.95 milionë metra katrorë ishin vetëm në Tiranë.
Duke pasur parasysh se për vitin 2025 nuk përfshihen lejet e lëshuara nga KKT, sipërfaqja totale e dhënë për leje nuk dihet. Për më tepër, për vitin 2025 nuk jepen të dhëna për sipërfaqen e lejeve të lëshuara për kryeqytetin.
Publikimi i statistikave mbi lejet e ndërtimit mbështetet aktualisht vetëm në të dhënat e siguruara nga bashkitë, të cilat janë autoritetet kryesore për dhënien dhe raportimin e këtyre lejeve. Megjithatë, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 408, datë 13.5.2015, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, përcakton se në procesin e miratimit të lejeve të ndërtimit përfshihen edhe institucione të tjera përgjegjëse, përveç bashkive.
Meqenëse ende nuk ka një raportim të standardizuar dhe të plotë nga të gjitha këto entitete pranë INSTAT, të dhënat e publikuara për tremujorin e katërt bazohen vetëm në burimet bashkiake. Të dhënat e publikuara për tremujorin e katërt 2025 nuk mund të krahasohen me të dhënat e tremujorit të katërt 2024.
INSTAT po punon që të gjitha institucionet përgjegjëse të përfshihen në mënyrë të unifikuar në procesin e raportimit statistikor.
Sipas të dhënave të deritanishme nga INSTAT, në tremujorin e katërt të vitit 2025:
- Janë miratuar 259 leje ndërtimi për ndërtesa të reja.
- Sipërfaqja totale e parashikuar për ndërtimet e reja në këtë tremujor është 340.477 m².
- Vlera e përafërt e projekteve të miratuara (përfshirë ndërtesat dhe punimet inxhinierike) arriti në 19,4 miliardë lekë.
- Ndërtimet për banim përbëjnë pjesën më të madhe të lejeve të reja, me 200 leje dhe sipërfaqe ndërtimi 237.132 m².
- Ndërtesat jo-rezidente (si hotele, ndërtesa tregtare dhe industriale) zënë pjesën tjetër me 59 leje ndërtimi dhe 103.345 m² sipërfaqe.
Gjatë vitit 2025:
- Janë miratuar gjithsej 1.158 leje ndërtimi për ndërtesa të reja.
- Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është 1.304.606 m².
- Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit të miratuara (për ndërtesa dhe punime inxhinierike) është 73,9 miliardë lekë.
- Ndërtimet për banim përbëjnë pjesën më të madhe të lejeve të reja, me 890 leje dhe sipërfaqe ndërtimi 844.791 m².
- Ndërtesat jo-rezidente (si hotele, ndërtesa tregtare dhe industriale) zënë pjesën tjetër me 268 leje ndërtimi dhe 459.815 m² sipërfaqe.
Ndërkohë, në botimin e këtij tremujori, INSTAT nuk ka publikuar sipërfaqen e lejeve të lëshuara në Tiranë, ndryshe nga tremujori i mëparshëm. Në tremujorin e tretë, bashkitë kishin lëshuar gjithsej 350.6 mijë metra katrorë sipërfaqe leje ndërtimi, nga të cilat 252 mijë ishin në Tiranë.
Askush nuk e di sa leje ka dhënë Këshilli Kombëtar i Territorit
Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2025, janë mbajtur disa mbledhje të Këshillit Kombëtar të Territorit, ku të paktën dy prej tyre ishin në tetor, sipas kalendarit të planifikuar. Këto të dhëna duket se mbahen “sekret” dhe do të duhet kohë që të kuptohet situata reale me ndërtimet në vend.
“`
