Lëvizje të reja qeveritare: Sula Kryeinspektor, Hajdari Prefekt Tiranë

Ish-deputeti i PD-së, Dashnor Sula, emërohet Kryeinspektor i Përgjithshëm; paraardhësi, Shkëlqim Hajdari, emërohet prefekt i Tiranës

Publikuar më 06.02.2026 nga shekulli_admin

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është emëruar në postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm. Sula nuk u përfshi në listat e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, pavarësisht se u rendit i pari në primaret e organizuara. Ai ka kritikuar ashpër drejtuesit e partisë, duke i konsideruar si shkaktarët kryesorë të humbjes së opozitës dhe dhënies së mandatit të katërt kryeministrit Rama.

Dashnor Sula nuk është i vetmi ish-deputet demokrat i ftuar nga maxhoranca për të marrë një pozicion drejtues. Para pak kohësh, edhe ish-deputetja tjetër, Zheni Gjergji, u emërua Drejtoreshë e Spitalit të Elbasanit.

Shkëlqim Hajdari është emëruar prefekt i Tiranës, duke zëvendësuar Afrim Qendron, i cili mbante këtë post që prej vitit 2021. Vendimi është marrë ditën e sotme, ndërkohë që kjo lëvizje vjen pak ditë pas largimit të Hajdarit nga pozita e Kryeinspektorit të Përgjithshëm.

Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari ka një eksperiencë të gjatë, prej më shumë se 20 vitesh, në sistemin e drejtësisë. Ai dha dorëheqjen si Prokuror i Shkodrës në vitin 2016.

Ndërkohë, po sot, vendin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm që e mbante Hajdari, e ka zënë ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula. Sula ka një karrierë të gjatë politike dhe përfaqësuese në Kuvend, dhe ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë.

Scroll to Top