Mar. Kor 17th, 2018

Lëvizte me armë me vete, arrestohet 21-vjeçari në Dhërmi

Foto ilustruese

Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë një 21-vjeçar, mbrëmjen e së shtunës në fshatin Dhërmi të Himarës, pas informacioneve mbi qarkullimin e tij me armë zjarri me vete.

Njoftimi i marrë në rrugë operative vuri në lëvizje forcat e rendit, të cilët rreth orës 23 të mbrëmjes konstatuan në lagjen “Gjilek” të Dhërmiut një mjet BMW X5, ku dyshohej të ishte si pasagjer edhe personi i armatosur.

I arrestuari është 21-vjeçari nga Vlora, Rei Vrapi, të cilit gjatë kontrollit fizik policia i gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë “TT” dhe një krëhër me 7 fishekë.

Mjeti BMW X5 ishte në pronësi të shtetasit 22-vjeçar, R.S. nga Vlora, ndërsa në të udhëtonin edhe 3 persona të tjerë, të cilët u shoqëruan në Komisariatin e Policisë së Himarës për hetimet e mëtejshme.

Pas veprimeve të para hetimore, policia la të lirë personat e tjerë, ndërsa 21-vjeçari pritet të përballet me akuzën për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

InfoPasqyra/tch