Liberalizimi Energjisë: 2300 Biznese në Tregun e Lirë

Përmbyllet Faza e Fundit e Liberalizimit të Tregut të Energjisë, 2300 Subjekte në 6 kV Dalin në Treg të Lirë

Që nga kjo e enjte, 1 janari, 2300 biznese të lidhura në tension 6 kilovolt kanë hyrë në tregun e lirë të energjisë. Këto subjekte do të furnizohen nga ofrues privatë ose nga Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL), me çmime të përcaktuara nga vetë tregu, jo të rregulluara nga shteti.

Pritet që ky grup t’i shtohen edhe rreth 300 subjekte të tjera, të cilat gjithashtu janë të lidhura në tension 6 kilovolt, por pasi të kenë shlyer detyrimet e prapambetura ndaj Furnizuesit të Shërbimit Universal.

Ky zhvillim shënon fazën përfundimtare të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë, të parashikuar që në vitin 2015 me ligjin “Për sektorin e energjisë”. Procesi ka nisur konkretisht në vitin 2018, kur mbi 76 subjekte të lidhura në tension 35 kV kaluan në tregun e lirë.

Në vitin 2022, u tentua zgjerimi i liberalizimit për bizneset në tension 20 dhe 10 kV, por kriza globale e energjisë dhe çmimet e larta detyruan shtetin të ndërhynte me mekanizma mbështetës dhe përfshirjen e prodhimit të KESH-it. Deri në fund të vitit 2023, bizneset në tension 20 kV kishin si opsion Furnizuesin e Mundësisë së Fundit, ndërsa nga 1 janari 2024 kaluan në tregun e lirë.

Më 1 janar 2025, këtij grupi iu bashkuan 2600 subjekte të lidhura në tension 10 kV, ndërsa 1 janari 2026 shënoi përmbylljen përfundimtare të procesit.

Ndikimi i Procesit dhe Furnizuesit

Aktualisht, mijëra biznese sigurojnë energjinë e tyre nga furnizues privatë ose nga Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL). Shumica dërrmuese e tyre janë të lidhura me kompaninë publike FTL, duke paguar një çmim prej 18.34 lekë/kWh pa TVSH.

Sipas administratorit të FTL, Albi Gjenerali, liberalizimi ka sjellë një sërë ndikimesh pozitive në treg. Këto përfshijnë uljen e barrës financiare mbi Furnizuesin e Shërbimit Universal, përmirësimin e disiplinës së pagesave dhe hyrjen e tregut në një fazë konsolidimi, ku fokusi është zhvendosur drejt eficiencës dhe transparencës.

Në tregun e lirë aktualisht operojnë 40 furnizues të licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë, një shifër në rritje të ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme. Ky zhvillim konsiderohet si një efekt i drejtpërdrejtë i liberalizimit, i cili po nxit konkurrencën, investimet dhe orientimin e bizneseve drejt zgjidhjeve energjetike më të leverdishme, përfshirë edhe investimet për autokonsum nga burime fotovoltaike.

Scroll to Top