Liderët Evropianë Diskutojnë Planin Amerikan për Ukrainën

Zhurmë diplomatike pas ultimatumit të Trump për Ukrainën: Zelensky zhvillon telefonata të njëpasnjëshme me Merz, Macron dhe Starmer

Plani amerikan me 28 pikë për përfundimin e luftës në Ukrainë ka nxitur konsultime të ethshme mes liderëve evropianë dhe presidentit Volodymyr Zelensky. Zelensky ka zhvilluar biseda telefonike të njëpasnjëshme me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.

Merz madje ka anuluar një aktivitet publik për t’iu bashkuar telefonatës, ndërsa sipas medias gjermane Bild, shumë shpejt do të zhvillohet edhe një bisedë direkte me Donald Trump.

Në këto kontakte, liderët evropianë theksuan njëzëri se:

  • Ushtria ukrainase duhet të jetë në gjendje të mbrojë sovranitetin e vendit.
  • Çdo marrëveshje duhet të sigurojë interesat jetike evropiane dhe ukrainase në afat të gjatë.

Vetë Zelensky shkroi në rrjetin social X: “Po punojmë intensivisht mbi dokumentin që na paraqiti pala amerikane. Duhet të jetë një plan që garanton një paqe të vërtetë dhe dinjitoze.”

Edhe Bashkimi Evropian përfshihet në këto përpjekje: presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të komunikojë së shpejti me Zelenskyn.

Përpjekjet e aleatëve evropianë për të ngadalësuar ose bllokuar propozimin, i cili shihet si tepër i favorshëm për Moskën, pritet të jenë në qendër të samitit të G20 këtë fundjavë në Afrikën e Jugut. Në këtë samit do të marrin pjesë Macron, Merz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe Keir Starmer.

Scroll to Top