Mar. Tet 16th, 2018

Liga e Kombeve, rriten shpërblimet! Fituesi merr 10.5 mln euro në total

UEFA ka njoftuar rritjen e shpërblimeve për edicionin aktual të Ligës së Kombeve, që ka nisur prej muajit shtator. Ndryshimi në fjalë do të sjellë një rritje prej 50 për qind të shumave të solidaritetit për 55 federatat anëtare që marrin pjesë në këtë kompeticion.

Përfitimet do t’i shijojnë edhe fituesit e kategorive, që do të thotë fituesit e fazës së grupeve të ligave A, B, C dhe D. Çdo kombëtare që do ta mbyllë këtë fazë në krye të grupit do të marrë 50 për qind më shumë shpërblim nga sa ishte parashikuar.

Për shembull, fituesi i ligës A do të përfitojë 2.25 mln euro nga 1.5 që ishte programuar; fituesi i ligës B do të përfitojë 1.5 mln euro nga një që ishte programuar; fituesi i ligës C do të përfitojë 1 milion e 125 mijë euro, nga 750 mijë që ishte programuar; e në fund fituesi i ligës D do të përfitojë750 mijë euro, nga 500 mijë që ishte programuar.

Kjo bën që të ardhurat maksimale, mes kontributeve të solidaritetit dhe bonuseve të tjera për një skuadër të ligës A do të jetë 4.5 mln euro, për një skuadër të ligës B do të jetë 3 milionë euro, për një skuadër të ligës C, ku bën pjesë edhe Shqipëria, do të jetë 2.25 mln euro, ndërsa për një skuadër të ligës D, ku bën pjesë edhe Kosova, do të jetë 1.5 mln euro.

Katër skuadrat fituese të grupeve të ligës A do të përballen më pas për trofeun e Ligës së Kombeve në qershor të vitit 2019. Rritja e kontributeve të solidaritetit për këto 4 skuadra do të jenë si më poshtë:

Fituesit do të marrin 6 mln euro, nga 4.5 që ishte programuar; finalistët do të marrin 4.5 mln euro, nga 3.5 që ishte programuar; vendi i tretë do të marrë 3.5 mln euro nga 2.5 që ishte programuar; e në fund vendi i katërt do të marrë 2.5 mln euro, nga 1.5 që ishte programuar.

E gjitha kjo do të thotë se, kush fiton Ligën e Kombeve do të ketë rrëmbyer në total 10.5 mln euro.

Liga e Kombeve e nisur në shtator erdhi si pasojë e reagimeve të federatave kombëtare, trajnerëve, lojtarëve dhe tifozëve, të cilët ishin gjithnjë e më të bindur se miqësoret nuk ishin mjaftueshëm konkurruese dhe përfituese për ekipet kombëtare.

InfoPasqyra/tch

Kategori