Parlamenti izraelit miraton ligj kontrovers: Dënim me vdekje për palestinezët
Parlamenti izraelit miratoi të hënën një ligj të diskutueshëm që vendos dënimin me vdekje për palestinezët e dënuar nga gjykatat ushtarake për sulme vrasëse. Ky veprim përmbush një premtim të aleatëve të ekstremit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Ligji, i cili bën të detyrueshëm “dënimin me vdekje për terroristët”, në praktikë do të zbatohej vetëm për palestinezët e dënuar për sulme kundër Izraelit. Projektligji u miratua me 62 vota pro dhe 48 kundër. Netanyahu ishte mes votuesve pro, së bashku me ministrin e tij Itamar Ben-Gvir, i cili tentoi të hapte shampanjë pas votimit.
Sipas projektligjit, “kushdo që me dashje ose nga pakujdesia shkakton vdekjen e një qytetari izraelit për arsye racizmi ose armiqësie ndaj një komuniteti, dhe me qëllim dëmtimin e Shtetit të Izraelit dhe rilindjes së popullit hebre në tokën e tij, do të përballet me dënimin me vdekje.”
Para votimit, projektligji u kritikua ashpër nga ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë. Ata theksuan se ai çon në diskriminim de facto kundër palestinezëve dhe minon angazhimet e Izraelit ndaj parimeve demokratike.
Një organizatë joqeveritare izraelite për të drejtat e njeriut njoftoi menjëherë se do ta apelonte ligjin në Gjykatën Supreme të Izraelit, duke sfiduar vlefshmërinë e tij, vetëm disa minuta pasi u miratua nga Knesset. Shoqata për të Drejtat Civile në Izrael (ACRI) deklaroi se ligji është “kushtetues, de facto diskriminues dhe, për palestinezët në Bregun Perëndimor, u miratua pa bazë ligjore”.
Në Izrael, dënimi me vdekje për krimin e vrasjes u hoq në vitin 1954. I vetmi person i ekzekutuar ndonjëherë në vend pas një gjyqi civil ishte Adolf Eichmann, në vitin 1962. Gjykatat ushtarake kanë mundësinë të shqiptojnë dënimin me vdekje ndaj të pandehurve, por deri më tani nuk e kanë bërë.
