Ligji i Faljes: Si të përfitoni nga masat lehtësuese tatimore

Ligji i faljes: Si mund të përfitoni nga masat lehtësuese?

Administrata Tatimore ka dhënë sqarime lidhur me pyetjet më të shpeshta të tatimpaguesve rreth zbatimit të Ligjit të faljes (ligji nr. 86/2025 për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore të papaguara). Ky ligj ofron mundësi përfitimi nga masa lehtësuese, por lindin pyetje rreth zbatimit të tij.

Pyetje dhe përgjigje të shpeshta:

  • Kam marrë njoftim që nuk përfitoj nga Ligji i faljes, megjithëse nuk jam dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe nuk jam në proces hetimi ose gjykimi për vepra penale tatimore/doganore. Si duhet të veproj?
    Për të përfituar, duhet të paraqisni një kërkesë/ankesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitni dokumentacionin provues, si: vërtetimin e gjendjes gjyqësore, vërtetimin e prokurorisë, vërtetimin e gjykatës, si dhe çdo dokument tjetër të lëshuar nga autoritetet kompetente.
  • A përfshihen detyrimet dhe gjobat e papaguara të DIVA-s në faljen e parashikuar nga Ligji nr. 86/2025? Cilat janë afatet dhe procedurat?
    Po, detyrimet tatimore që rrjedhin nga Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA) përfitojnë nga masat e fshirjes/shuarjes, sipas kushteve, kritereve dhe afateve të përcaktuara në Ligjin nr. 86/2025 dhe Udhëzimin nr. 11, datë 14.05.2026. Procedura e trajtimit është e njëjtë me atë të detyrimeve të tjera tatimore që përfitojnë nga ky ligj.
  • Kam marrë njoftim që nuk përfitoj, por për detyrimet e mia tatimore nuk ka vendim gjyqësor të formës së prerë në favor të administratës tatimore. Si duhet të veproj?
    Duhet të paraqisni një kërkesë/ankesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, të shoqëruar me çdo dokument provues, përfshirë vendime gjyqësore ose akte zyrtare që vërtetojnë mungesën e një vendimi gjyqësor të formës së prerë në favor të administratës tatimore për detyrimet e papaguara.
  • Jam në proces ankimi në Gjykatë për një detyrim tatimor të vitit 2023. A mund të tërhiqem nga ankimi për të përfituar nga fshirja ose shuarja e detyrimeve sipas Ligjit nr. 86/2025 dhe deri kur mund të përfitoj?
    Po, nëse detyrimi tatimor që është objekt i ankimit tuaj përfshihet në fshirjen ose shuarjen sipas Ligjit nr. 86/2025, mund të përfitoni duke hequr dorë nga ankimi gjyqësor, në përputhje me kushtet dhe afatet e përcaktuara në ligj. Paraqitja e kërkesës zyrtare pranë DRT-së bëhet nga data 10.06.2026, para kryerjes së pagesës së detyrimit kryesor, por jo më vonë se 30.11.2026.
  • Kam detyrime tatimore të papaguara dhe deklarata të padorëzuara (15A dhe 19A). Si mund t’i dorëzoj deklaratat kur sistemi nuk lejon deklarimin për shkak të kalimit të afateve? A mund të përfitoj nga ligji i faljes dhe cilat janë afatet?
    Për detyrimet tatimore të periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019:

    • Shuhet 50% e detyrimit principal nëse 50% e mbetur paguhet njëherësh deri më 30.06.2026.
    • Shuhet 25% e detyrimit principal nëse 75% e mbetur paguhet deri më 31.12.2026.

    Në të dyja rastet, gjobat dhe kamatëvonesat e lidhura me këto detyrime fshihen plotësisht. Gjithashtu, fshihen gjobat për mosdeklarim ose deklarim të vonuar të deklaratave për periudhat deri më 31.12.2024, me kusht që deklaratat e padorëzuara të dorëzohen deri më 30.06.2026.
    Për deklaratat që nuk mund t’i dorëzoni, drejtohuni Drejtorisë Rajonale Tatimore ku jeni regjistruar për asistencë.

  • Çfarë veprimesh duhen kryer deri më 30 qershor 2026 për të përfituar nga masat lehtësuese?
    Data 30 qershor 2026 është afati i fundit për:

    • Pagesën njëherësh të 50% të detyrimit principal për periudhën tatimore 2015–2019, duke përfituar fshirjen e 50% të detyrimit. Gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.
    • Dorëzimin e deklaratave të padorëzuara për periudhat deri më 31.12.2024, duke përfituar faljen e gjobave për deklarim të vonuar.
  • Ku kryhen pagesat e principalit për të përfituar nga shuarja e gjobave dhe kamatëvonesave sipas Ligjit nr. 86/2025?
    Pagesat kryhen pranë bankave të nivelit të dytë ose pranë Postës Shqiptare, duke përdorur urdhërpagesën e gjeneruar nga llogaria e tatimpaguesit në sistemin e-Filing. Për të përfituar nga masat lehtësuese, verifikoni detyrimet tuaja në sistemin e-Filing dhe kryeni pagesat brenda afateve të përcaktuara.
Scroll to Top