Kuvendi miraton ligjin e ri për mbetjet pa sqaruar kostot financiare
Nisma e re ligjore e qeverisë, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, u miratua të enjten në Kuvend vetëm nga votat e mazhorancës, pa debat dhe pa sqaruar faturën financiare të zbatimit të saj.
Ligji i ri parashikon kthimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM) në një shoqëri aksionere përgjegjëse për menaxhimin fundor të mbetjeve në të gjithë Republikën, si dhe vendosjen e bashkive në pozitat e klientëve të kësaj shoqërie për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve.
Qeveria i rikthehet hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve duke i dhënë prioritet ndarjes në burim, ripërdorimit, riciklimit dhe kompostimit. Ligji lë pothuajse në hije rolin e inceneratorëve dhe incenerimin si proces, për të cilin qeveria socialiste investoi dhjetra milionë euro gjatë një dekade.
Dispozitat ligjore dhe relacioni shoqërues i ligjit theksojnë parimin “ndotësi paguan”, duke nënkuptuar rritje të tarifave dhe kostove për menaxhimin e mbetjeve, por pa ofruar një faturë financiare transparente se sa realisht do t’u kushtojë taksapaguesve zbatimi i këtyre dispozitave.
Gjatë diskutimit të ligjit në komisionet parlamentare dhe dëgjesave publike me grupet e interesuara, Ministria e Mjedisit, si propozuese e nismës, nuk arriti të jepte përgjigje për kostot financiare, duke mos sqaruar sa do të jenë kostot e bashkive për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve në pikat fundore dhe, si pasojë, sa do të rriten tarifat vendore për qytetarët.
Vetë ligji parashikon që Këshilli i Ministrave do të miratojë metodologjinë e llogaritjes së kostove operative dhe të shërbimit të grumbullimit, pastrimit dhe transportit deri në stacionet e transferimit të mbetjeve nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Metodologjia do të përcaktojë edhe tarifat e menaxhimit të mbetjeve.
Megjithatë, pyetjet e ripërsëritura të deputetëve se sa do t’i kushtojë taksapaguesve kjo reformë e menaxhimit të mbetjeve nuk morën përgjigje të qarta nga ministria.
Lidhur me koston totale për menaxhimin e mbetjeve, ministri i Mjedisit, S. Jaupaj, deklaroi se direktivat e BE-së përcaktojnë objektivat e riciklimit për vitin 2035 dhe bazuar në këto objektiva është parashikuar vlera financiare që duhet të investohet për infrastrukturën e nevojshme deri në vitin 2035. Në raportin e vlerësimit të përgatitur nga kjo ministri, në opsionin e rekomanduar nga BE, vlerësohet që kostot e përgjithshme të investimit të shkojnë rreth 683 milionë euro deri në vitin 2035. Po ashtu, kostot vjetore për ton mbetje të krijuara pritet të rriten nga 79 euro për ton në vitin 2025 në 170 euro për ton në vitin 2035.
Ministri Jaupaj informoi deputetët se ministria ishte në fazat e negociatave “për shtyrjen e afatit të përmbushjes së këtij investimi përtej 2035”, sipas raportit të komisionit parlamentar për “Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm”. Gjatë dëgjesës në komisionin e Ligjeve, ai theksoi se barra kryesore financiare do të mbahet nga qeveria, ndërsa bashkitë do të përballojnë një pjesë të kostove.
“Ky është kapitulli më i shtrenjtë i negociatave me Bashkimin Europian. Qeveria është në bisedime për të siguruar fonde nga BE, kredi dhe grante, në mënyrë që të mbështesim infrastrukturën e re pa e ngarkuar tej mase buxhetin vendor,” argumentoi ai.
Edhe në raportin e përgatitur nga Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat nuk ka një faturë të qartë financiare që shoqëron zbatimin e këtij ligji. “Kostot e infrastrukturës dhe operimit për menaxhimin e integruar të mbetjeve mbulohen nga krijuesi ose nga zotëruesi i mbetjeve, në përputhje me parimin ‘ndotësi paguan’,” thuhet në këtë raport, ndërsa nevoja për financime nga buxheti i shtetit do të vlerësohet nga AKEM.
“Çdo zonë mbulon kostot e investimit për ndërtimin e infrastrukturës për menaxhimin e integruar të mbetjeve bashkiake. Bashkitë dhe AKEM-i financojnë kostot e investimit për çdo zonë të menaxhimit të mbetjeve,” thuhet më tej në raportin e këtij komisioni. Ligji parashikon që kostoja për grumbullimin dhe transferimin e mbetjeve të jetë pjesë e buxhetit vjetor të bashkive dhe do të përballohet nga mbledhja e tarifës së pastrimit për qytetarët.
Shoqatat e bashkive dhe vetë kryetarët e bashkive, të cilët morën pjesë në një dëgjesë në komisionin e Ligjeve, shprehën shqetësimin se bashkitë do të gjenden në vështirësi financiare për të përballuar kostot që u ngarkon zbatimi i këtij ligji. Ata kërkuan që të parashikohej në ligj që këto kosto të përballoheshin nga buxheti i shtetit nëpërmjet transfertave të pakushtëzuara.
Ligji u kundërshtua gjithashtu nga opozita dhe shoqatat që përfaqësojnë interesat e pushtetit vendor, të cilët e konsideruan atë si cenim të autonomisë vendore. Në komisionin parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme u kritikua për përafrim të pjesshëm të dispozitave të BE-së për Mjedisin.
Ministri sqaroi se përafrimi i plotë do të bëhet me miratimin e 12 projektvendime të Këshillit të Ministrave si akte nënligjore, në përputhje me periudhat tranzitore të kërkuara në kuadër të procesit të anëtarësimit.
Gjatë shqyrtimit të këtij ligji, Ministria e Mjedisit theksoi se reforma e re e menaxhimit të mbetjeve plotësohet edhe me një nismë tjetër ligjore, atë për “Përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit”, e cila është futur për shqyrtim në Kuvend.