Mar. Kor 17th, 2018

Ligji që nuk zbatohet në plazhe. Bashkitë dhe qeveria, “hidh e prit” për sigurinë e pushuesve

Tre persona u mbytën në plazhet e vendit ditën e shtunë, mes tyre edhe një turiste polake. Kjo për shkak se, bizneset që operojnë në plazhet shqiptare, në shkelje flagrante të ligjit për turizmin nuk ofrojnë asnjë kusht sigurie për jetën e pushuesve.

Si në bregdetin jonian, edhe në atë të Adriatikut nuk ka kulla vrojtimi, sikurse nuk ka sinjalistikë apo flamuj, ngjyrat e të cilëve tregojnë për kushtet e motit dhe të detit, siç ndodh jashtë. Në det nuk ka bova, që të tregojnë se deri ku mund të notohet. Në asnjë stacion plazhi nuk ka tabela ku të afishohen numrat e emergjencës, ashtu sikurse nuk ka një zonë të veçantë për ofrimin e ndihmës së shpejtë.

Rregullorja e stacioneve të plazheve hartohet nga bashkitë, të cilat me ligj janë përgjegjëse për vendosjen dhe monitorimin e kritereve dhe kushteve që duhet të plotësojnë bizneset që operojnë në plazhe. Ato që japin me qira stacionet e plazheve. Por, e vërteta në terren tregon se bashkitë nuk e bëjnë këtë. E nëse bashkitë e shkelin ligjin, cili është roli i Ministrisë së Turizmit në këtë rast?

Sipas ligjit, Inspektorati i Turizmit është gjithashtu institucioni që ka për detyrë të monitorojë zbatimin e kritereve nga bizneset përgjatë të gjithë vijës bregdetare. Madje, në ligj parashikohen edhe gjoba për shkelësit, nga 50 mijë lekë deri në 200 mijë lekë. Pra ligji, përveç bashkive detyron edhe Ministrinë e Turizmit, që të mbajë përgjegjësi për jetët e humbura dhe t’u sigurojë jetën pushuesve.

InfoPasqyra/tch kontaktoi ditën e hënë Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit, e cila nuk pranoi të shprehet për çështjen. Por, diku rreth orës 11:45, nga foltorja e Kuvendit, ministri Blendi Klosi theu heshtjen.

“Përsëri kemi ngjarje e për këtë ne jemi kokulur, me humbje jetësh në plazhet tona. Por ama sistemi i ruajtjes së plazheve është ngritur pothuajse në të gjithë Shqipërinë, jo në kushtet që duhet, por që po funksionon dhe kemi disa jetë të shpëtuara vetëm nga sistemi i ruajtjes së plazheve kudo në vendin tonë. Kemi një numër shumë të reduktuar në krahasim me vjet”, deklaroi ministri Blendi Klosi.

Sipas rregulloreve të stacioneve të plazheve, bizneset që i marrin me qira duhet të kenë sinjalizimin dhe kufizimin e zonave e rrezikshme, të ndaluara për not. Duhet të ketë flamujt sinjalizuez, ku ngjyra e gjelbër tregon se lejohet notimi; e verdha që notohet vetëm me masa mbrojtëse, si dhe ngjyra e kuqe për të treguar se ndalohet notimi. Plazhet duhet të kenë gjithashtu sinjalizimin e zonave që përdoren për lundrim, me ose pa motor; të ketë kulla vrojtimi çdo 250 metra, nga 3 metra të larta; ndërsa kullat të jenë të pajisura me dylbi, megafon, birbil metalik, një barrelë, një kuti të ndihmës së shpejtë dhe kamerdare.

InfoPasqyra/tch