Lirohet avokati Ulian Bajrami, çështja vazhdon në gjendje të lirë

Prokuroria e Elbasanit lëshon urdhër lirimi për avokatin Ulian Bajrami pas 48 orësh arrestim

Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar një urdhër të menjëhershëm lirimi për avokatin Ulian Bajrami të hënën, rreth 48 orë pas ndalimit të tij të diskutueshëm në sallën e gjyqit. Ky arrestim pati nxitur reagime dhe protesta nga ana e avokatëve në të gjithë vendin.

Sipas Prokurorisë së Elbasanit, urdhri i lirimit u firmos pasi u vlerësuan aktet e ndalimit të iniciuar nga Policia Gjyqësore. Nga kjo vlerësim rezultoi se nuk kishte elementë të mjaftueshëm për të caktuar ndonjë masë sigurimi personal ndaj tij. Megjithatë, procedimi penal ndaj Bajramit, me akuzat e kanosjes së prokurorit, do të vazhdojë në gjendje të lirë.

Një burim nga Prokuroria e Elbasanit informoi BIRN se çështja do të transferohet për kompetencë në një prokurori tjetër, për të shmangur ndikime të mundshme.

Avokati Ulian Bajrami u ndalua të shtunën pas një debati me prokurorin Gjergji Ceka gjatë një seance për masë sigurie të zhvilluar të premten e kaluar. Ndalimi u krye nga policia gjyqësore për veprën penale të kanosjes.

Ndalimi i avokatit Bajrami u dënua nga kolegët e tij, ndërkohë që Dhoma Kombëtare e Avokatisë vendosi bojkotimin e të gjitha seancave penale në datat 20-25 tetor, me përjashtim të seancave që kanë të bëjnë me masat e sigurimit personal.

Kryetari i Dhomës së Avokatisë Elbasan, Demir Çiftja, deklaroi për BIRN se avokati i ndaluar nuk ka kryer asnjë vepër penale. Çiftja, i cili ishte prezent në seancë, theksoi se avokati Bajrami thjesht “ka zhvilluar debat gjyqësor në kuadër të barazisë së armëve”. Ai shtoi se “kallëzim mund të bëhej, por jo të arrestohej” dhe se prokurori ishte ai që i kishte thënë avokatit në sallë se do të arrestohej, duke nënvizuar se jo çdo gjë që thotë prokurori duhet të realizohet.

Përfaqësuesi ligjor i Bajramit, avokati Ardian Visha, e cilësoi rastin si skandaloz, duke ironizuar deklaratën se “quhet kanosje se tha avokati se do kryente kallëzim penal”.

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) njoftoi të hënën se ndjek me vëmendje çdo çështje që prek sistemin gjyqësor. Lidhur me pasojat e mundshme të bojkotit në proceset gjyqësore, KLGj theksoi se nuk ka ende një qëndrim zyrtar, por do të njoftojë në vijim.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) bëri me dije se ka nisur verifikimet në vend menjëherë, bazuar në raportimet në media. Sipas ILD, deri tani nuk ka mbërritur ndonjë ankesë, por është pranuar një letër nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë drejtuar disa institucioneve, përfshirë ILD-në, ku njoftohet vendimi i Dhomës për rastin në fjalë.

Scroll to Top